Trumpi shpërthen pas sulmeve të Iranit: Po qe nevoja, do t’i fshijmë nga faqja e dheut!

Presidenti amerikan Donald Trump para pak çasteve ka folur për Fox News, duke paralajmëruar se Irani do të “fshihet nga faqja e dheut” nëse sulmon anijet amerikane që po zbatojnë “Projektin Liria” në Ngushticën e Hormuzit.

Ai tha se beson që Irani është bërë “shumë më i bindur” në bisedimet e paqes dhe theksoi se grumbullimi ushtarak amerikan në rajon po vazhdon.

“Kemi më shumë armë dhe municione më cilësore sesa kishim më parë. Kemi pajisjet më të mira. Kemi gjëra anembanë botës. Kemi këto baza kudo në botë, të gjitha janë të pajisura me mjete. Mund t’i përdorim të gjitha këto gjëra dhe do ta bëjmë nëse do të na duhen”, deklaroi presidenti amerikan.

Ai njoftoi këtë të hënë se forcat e SHBA-së, në kuadër të operacionit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, kanë shkatërruar shtatë “anije të vogla” iraniane. Trump bëri të ditur se Irani ka kryer sulme edhe ndaj shteteve neutrale, përfshirë një mjet lundrues të Koresë së Jugut, duke u bërë thirrje sërish kombeve të tjera që të përfshihen më aktivisht në përpjekjet amerikane për sigurimin e tregtisë në rajon, me mesazhin se “ndoshta është koha që edhe Koreja e Jugut t’i bashkohet misionit”.

Presidenti paralajmëroi se ministri i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe shefi i Shtabit të Bashkuar, gjenerali Dan Caine, do të mbajnë një konferencë për media të martën në mëngjes për të dhënë informacione të reja.

Në të njëjtën kohë, komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së, admirali Brad Cooper, konfirmoi se ushtria amerikane, krahas shkatërrimit të anijeve iraniane, ka kapur me sukses raketa kruz dhe dronë të lëshuar nga Teherani drejt anijeve tregtare. Cooper theksoi se çdo kërcënim është mposhtur dhe u dha një “këshillë të prerë” forcave iraniane që të qëndrojnë larg aseteve ushtarake amerikane gjatë kohëzgjatjes së operacionit.

Këto ngjarje përfaqësojnë testin më të fundit për armëpushimin mes Iranit dhe SHBA-së, ndërsa admirali Cooper shtoi se bllokada amerikane ndaj Iranit mbetet në fuqi dhe rezultatet e saj po tejkalojnë pritshmëritë.

Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe e mbajnë Iranin “plotësisht përgjegjës” për sulmet me dronë që ndodhën të hënën në territorin e tyre. Autoritetet e Emirateve deklaruan se mbajnë “të drejtën e plotë dhe legjitime për t’u përgjigjur” ndaj goditjeve, të cilat i përshkruan si një eskalim të rrezikshëm dhe shkelje të papranueshme të ligjit ndërkombëtar.

Reagimi i ashpër erdhi pasi në zonën industriale të naftës në Fujairah shpërtheu një zjarr i shkaktuar nga dronët iranianë. Ministria e Mbrojtjes e Emirateve njoftoi se ka interceptuar tre dronë të nisur nga Irani mbi ujërat e saj territoriale, ndërsa një i katërt u rrëzua në det. Nga ana tjetër, televizioni shtetëror iranian transmetoi deklaratën e një zyrtari të lartë ushtarak, i cili pretendon se Irani nuk ka planifikuar sulme mbi objektivat në Emirate, ndërkohë që Teherani zyrtar ende nuk është deklaruar më gjerësisht mbi këto akuza./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu