Në prag të vizitës së nesërme në Shkup, për herë të parë për një media nga Maqedonia e Veriut, kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras për MIA-n i shpalos letrat për bisedimet e nesërme me kolegun e tij Zoran Zaev dhe delegacionet e dy vendeve dhe planet e ardhshme për bashkëpunim, ndërsa flet edhe për rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës.
Gjatë bisedës me korrespondenten e MIA-s nga Athina, Aleksis Cipras, thekson se vizita është me rëndësi historike, e mbështetur në vizionin e ri strategjik për dy vendet, tregon se do të vijë me 10 ministra dhe do të nënshkruhen një varg marrëveshjesh në fusha të ndryshme.
Shprehet se Greqia dhe Maqedonia e Veriut duhet doemos të jenë partnerë dhe aleatë, dërgon porosi se Athina duhet të ketë fqinj të qëndrueshëm dhe të sigurt verior, ndërsa Shkupi ka nevojë për një fqinj të fuqishëm që do t’i mbështesë hapat e saj drejt perspektivës evropiane.
Kryeministri grek kujton momentin më të vështirë në bisedimet, flet për çmimin politik dhe shpalos se çfarë ndodhi me kravatën që e mori nga Zaevi pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës.
Intervista e kryeministrit grek për MIA-n, njëherësh është intervista e parë e kryetarit të Qeverisë greke në 10 vitet e kaluara.
Zoti kryeministër, Ju faleminderit shumë për këtë intervistë, që njëherësh është edhe e para që e jepni për një media nga Maqedonia e Veriut. Bisedojmë pak para vizitës tuaj në Shkup. Siç e thatë edhe vetë nga Forumi Ekonomik në Delfi, do të jeni kryeministri i parë grek i cili do të vizitojë zyrtarisht Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për vizitë historike për të dyja vendet. Do të vini me delegacion të ministrave dhe biznesmenëve. Cilat do të jenë temat e agjendës? Do të nënshkruani disa marrëveshje?
– Kjo është vizitë me rëndësi historike, e mbështetur në vizion të ri strategjik për vendet tona. Greqia dhe Maqedonia e Veriut duhet doemos të jenë partnerë dhe aleatë. Përveç kësaj, rezultat i Marrëveshjes së Prespës nuk është vetëm zgjidhja e çështjes së emrit dhe çelja e perspektivës evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja i vendosi themelet për vendosjen e marrëdhënieve të fuqishme bilaterale që parashikojnë bashkëpunim edhe në nivelin ndërkombëtar, evropian dhe rajonal. Në kuadër të kësaj, do të mbahet edhe takimi i parë i Këshillit tonë për bashkëpunim në nivel të lartë me pjesëmarrje të 10 ministrave prej më shumë fushave (ekonomi, energjetikë, mbrojtje, politikë të jashtme, infrastrukturë/transport, zhvillim bujqësor, politikë digjitale, shëndetësi) dhe do të mbahet forumi i parë i biznesit me dhjetëra biznesmenë nga vendet tona. Do të merremi vesh për një Plan veprimi që do t’i përfshijë të gjitha kategoritë e bashkëpunimit tonë, Marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtje, Marrëveshje për hapjen e vendkalimit të ri kufitar që do t’i lidhë Promahin me Majdenin, Memorandum për bashkëpunim për procesin aderues të Maqedonisë së Veriut, energjetikë, zhvillim të infrastrukturës, shërbimet tona të aviacionit civil.
Gjithsesi, kemi përparuar shpejtë me shumë ndryshime të rëndësishme të parashikuara me marrëveshjen. Por, edhe marrëveshja, si çdo marrëveshje, me kalimin e kohës do të haset në test në fushat kritike. Prandaj, është i shtrenjtë dialogu dhe besimi që i vendosëm, ndërsa i kemi vendosur në të gjitha nivelet, duke filluar nga i imi me Zoranin. Pra, do të duhet të bisedojmë për aspekte të ndryshme të zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, në të cilat do të duhet të fokusohemi, do të nënshkruhen edhe vendimet e para të Komitetit të përbashkët interdisiplinor të ekspertëve për tekstet shkollore dhe do njoftojmë formimin e Komisionit për shenja tregtare”që do të punojë në këtë temë jashtëzakonisht të rëndësishme.
Paralelisht, do të bisedojmë për zhvillimet rajonale dhe bashkë-zhvillimin e rajonit, duke marrë parasysh ndryshimet e mëdha të hartës energjetike. Do të bisedojmë për fomacionet kuadrilaterale që i vendosi Greqia me Maqedoninë e Veriut-Shqipërinë-Bullgarinë në nivel të MPJ-ve dhe me Bullgarinë-Rumaninë-Serbinë në nivel të kryeministrave. Do të bisedojmë për Procesin e Berlinit, kornizën 16+1 të Kinës dhe gjithsesi perspektivat e mëdha ekonomike që u çelën në Panairin ndërkombëtar në Selanik në vitin 2018 në të cilin vend nderi ishte SHBA-ja.
Sa është i rëndësishëm roli i Greqisë për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit?
– BE-ja kalon një periudhë të vështirë dhe shumë forca kanë tendencë t’i zgjedhin mbylljen në vetveten ose izolimin si përgjigje ndaj sfidave të kohës sonë. Argumentet në favor të zgjerimit – madje edhe për vende si Maqedonia e Veriut që janë konsekuente në obligimet e tyre – sot hasin në rezistencë shumë më të madhe krahasuar me të kaluarën. Mendoj se aktivizimi i diplomacisë greke në vitin 2018 me qëllim që të vendoset fillim i procesit aderues të Maqedonisë së Veriut në qershor, por edhe formimi i paradokohshëm i Grupit të miqve të Maqedonisë së Veriut në BE bëjnë të ditur në rëndësinë që e ka Greqia. Lidhur me zhvillimin ekonomik, të gjithë qytetarët tuaj e dinë rolin që kompanitë greke tashmë e kanë në vendin Tuaj. Mendoj se mund të shkojmë edhe më tutje dhe kjo do të theksohet në Forumin e biznesit.
Marrëveshja e Prespës shkaktoi “tërmet” në skenën politike greke. A e keni pritur këtë? A kishte Marrëveshja çmim politik? A keni frikë se për Ju personalisht, por edhe për SIRIZA-n, çmimi politik do të tregohet në zgjedhjet e radhës?
“Nëse Qeveria ime do të kishte frikë nga çmimi politik, as që do të mund ta nxirrte vendin nga kriza dhe programet ekonomike, e as të gjejë zgjidhje për sistemin e sigurimeve, e as që të përballet me krizën e refugjatëve, as që ta zgjidhë emrin, e as që ta promovojë dialogun e domosdoshëm me Turqinë përkundër vështirësive të mëdha, e as që t’i bëjë ndryshimet radikale që nevojiteshin në fushën e të drejtave të njeriut.
Marrëveshja frymëzoi shumëkënd të cilët dalluan se është e realizueshme zgjidhja e dallimeve ndërkombëtare me respektim të ndërsjellë, duke i siguruar interesat tuaja dhe pa e nënçmuar palën tjetër. Megjithatë, kemi çmim politik, meqë një pjesë e rëndësishme e popullit grek ishte dhe është i brengosur seriozisht për këtë çështje. Përgjegjësia jonë – e imja dhe e Zoranit – është që të tregojmë se popujt tanë munden vetëm të fitojnë nga rruga që është hapur. Gjithashtu, përgjegjësia jonë është që t’u përgjigjemi forcave të nacionalizmit që në botën e sotme forcohen dhe synojnë drejt asaj që të na kthejnë në kohërat e errëta”.
Të kalojmë në bisedimet, a kishte ndonjë moment që do të mund ta karakterizoni si veçanërisht të vështirë ose kritik?
” Konsideroj se kemi kaluar shumë momente kritike. Veçanërisht ditëve të fundit para se të përmbyllim marrëveshjen, ku ekzistonin çështje të pazgjidhura kritike me të cilat nevojitej menaxhim delikat. Por, kjo ndihmoi që njëra palë të kuptojë ndjeshmërinë e palës tjetër dhe të gjejmë zgjidhje”.
Bashkë me kolegun tuaj Zaev, jeni shpërblyer në Konferencën e Sigurisë në Munih, jeni kandidatë për Çmimin Nobël për Paqe, fakte që e shënojnë edhe mirënjohjen ndërkombëtare të Marrëveshjes së Prespës. A besoni se Marrëveshja do të ndihmojë që të zgjidhen edhe çështjet tjera në Ballkan, rajon ky i cili shpesh karakterizohet si “fuçi baroti” në Evropë?
“Nuk konsideroj se Marrëveshja e Prespës, e tillë siç është, duhet doemos të jetë model për kontestet tjera që kanë karakteristikat e tyre, rreziqe tjera dhe kanë të bëjnë me korniza tjera gjeopolitike. Por, konsideroj se kuptimi i respektit të ndërsjellë dhe kërkimi i zgjidhjes së ndërsjellë të pranueshme, në të cilën mbështetet marrëveshja, duhet të jenë bazë për zgjidhjen e dallimeve ndërkombëtare. Qartë, me marrëveshjen krijohet një dinamikë në rajonin tonë dhe të shpresojmë se marrëveshja do të mund të ndihmojë në çështje të tjera ndërkombëtare”.
Cila është porosia që do të donit ta dërgoni deri te populli i Maqedonisë së Veriut në prag të vizitës suaj?
“Porosia është e qartë se duhet të ndërtojmë besim mes nesh. Ndërsa Maqedonia e Veriut të shikojë përpara. Rajonit tonë i nevojitet bashkëpunim dhe stabilitet. Greqia duhet të ketë fqinj të qëndrueshëm dhe të sigurt verior, ndërsa Maqedonia e Veriut ka nevojë për fqinj të fuqishëm që do t’i mbështesë hapat e saj drejt perspektivës evropiane.
Në kuadër të Marrëveshjes së Prespës dhe perspektivat që i hapë, Greqia do të jetë aleati juaj themelor dhe mbrojtës i stabilitetit politik, për bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik, për bashkëpunimin dhe sigurinë ushtarake.
Para se t’ju falënderohem për intervistën, nuk mund të mos Ju pyes për diçka që në njëfarë mënyre Ju ndjek gjatë gjithë këtyre viteve derisa jeni kryeministër. Kravatë, kur do të vendosni sërish? Atë që ua dha zoti Zaec, a e keni ende?
“Nuk kam ndonjë tabu, por paraqitja ime publike, tashmë është shënuar pa kravatë. Megjithatë, kam koleksion të pasur të kravatave që mi dhuruan një varg liderësh, në mesin e të cilëve edhe Zorani.
Kravatën e Zoranit nuk e kam në dollap, por në sirtarin e byrosë sime, që të më përkujtojë në momentin historik, hapin e guximshëm për miqësi dhe bashkëpunim të popujve tanë, që ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës.










