Turqia heq bllokadën për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Presidenti finlandez Sauli Niinistö, ka bërë të ditur se Turqia është pajtuar që ta mbështesë Finlandën dhe Suedinë në rrugëtimin e tyre që t’i bashkohen Aleancës Veri-Atlantike.

Ky lajm nga Niinisto vjen në kohën kur këto tri vende kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët memorandumi për “ta zgjeruar mbështetjen kundër kërcënimeve që potencialisht mund të vijën ndaj këtyre tri vendeve”, transmeton Telegrafi.

“Javëve të fundit, Turqia ishte shprehur e brengosur lidhur me kërcënimet nga terrorizmi. Finlanda gjithashtu i trajton me seriozitet këto brenga. Finlanda dënon terrorizmin në të gjitha format dhe manifestimet. Si anëtare e NATO-s, Finlanda do të përkushtohet plotësisht kundër terrorizmit dhe politikave të NATO-s”, tha presidenti finlandez.

“Derisa po e forcojmë bashkëpunimin tonë kundër terrorizmit, eksportimin e armëve dhe ekstradimin, Finlanda natyrisht se do të vazhdojë të operojë sipas legjislacionit të saj kombëtar. Jam i kënaqur ta përfundojë këtë fazë të rrugëtimit të Finlandës drejt anëtarësimit në NATO. Me padurim pres që bisedat e frytshme mbi rolin e Finlandës në NATO me aleatët e ardhshëm këtu në Madrid”, tha ndër tjera Niinisto.

Kjo marrëveshje është konfirmuar pas takimit të ministrave të Jashtëm në Samitin e NATO-s që po mbahet në Madrid të Spanjës.

E lajmin për heqjen e bllokadës nga ana e Turqisë, e kanë konfirmuar liderët gjatë një konference të përbashkët.

Turqia vazhdimisht këmbëngulte se këto dy vende nordike po “strehojnë” plot gylenistë e kurdë të PKK-së, të cilët autoritetet turke i konsiderojnë si organizatë terroriste.

Ndërkaq pas deklarimit publik të Finlandës dhe Suedisë se do të aplikojnë për anëtarësim në NATO, ishte pikërisht Turqia që i kundërshtoi duke thënë se do të bllokojë hyrjen e tyre në NATO. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu