Turqia ka thirrur ambasadorin amerikan në Ankara, David Satterfield, për shkak të një rezolute të Senatit të SHBA-ve për pretendimet armene të vitit 1915, raporton Anadolu Agency (AA).
Në bisedën me ambasadorin Satterfield, njoftuan burime diplomatike të cilët folën në kushte anonimiteti, zv/ministri turk i Punëve të Jashtme, Sedat Önal, zëshëm ka shprehur kritikën e fortë të Turqisë për rezolutën.
Pas një lëvizjeje të ngjashme të Dhomës së Përfaqësuesve, dje Senati i SHBA-ve miratoi një rezolutë duke njohur pretendimet armene mbi ngjarjet e vitit 1915.
Qëndrimi i Turqisë për ngjarjet e vitit 1915 është se vdekja e armenëve në Anadollin lindor ndodhi kur disa morën anën e rusëve pushtues dhe u rebeluan kundër forcave osmane. Një zhvendosje e mëvonshme e armenëve rezultoi në viktima të shumta.
Turqia kundërshton paraqitjen e incidenteve si “gjenocid”, por ngjarjet e vitit 1915 i përshkruan si një tragjedi në të cilën të dy palët pësuan viktima.
Për të shqyrtuar çështjen, Ankaraja në mënyrë të përsëritur ka propozuar krijimin e një komisioni të përbashkët historianësh nga Turqia dhe Armenia, përfshirë ekspertë ndërkombëtarë.










