“Turqia vullnet për mbështetjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me Shqipërinë”

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak ndërmjet Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë thuhet se kjo marrëveshje reflekton vullnetin e vazhdueshëm disavjeçar të Republikës së Turqisë për mbështetjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me Republikën e Shqipërisë, përmes kontributeve të drejtpërdrejta për Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

“Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, jepet kontribut financiar për blerjen e shërbimeve dhe mallrave për qëllime ushtarake, duke ndikuar në rritjen e mëtejshme të ndërveprueshmërisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, theksohet në njoftim.

Sipas Kuvendit të Shqipërisë, marrëveshja është realizuar në kuadër të bashkëpunimit dhe miqësisë me Republikën e Turqisë, si dhe me synim fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak brenda kuadrit të marrëdhënieve të qëndrueshme miqësore.

Marrëveshja ka për qëllim të shërbejë për marrjen e financimeve në formën e grantit prej Republikës së Turqisë dhe përdorimin e tyre për blerjen e shërbimeve për qëllime ushtarake nga Shqipëria.

Marrëveshja në fjalë është nënshkruar mes palëve më 24 janar dhe 24 shkurt të këtij viti dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 23 korrik, ndërkohë hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Kujtojmë se në shkurt të këtij viti mes Shqipërisë dhe Turqisë është nënshkruar plani i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes për vitin 2020, me qëllim forcimin dhe intensifikimin e ndërveprimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Turqia çdo vit ofron ndihmë për Shqipërinë në fusha të ndryshme, duke kontribuar edhe në logjistikën ushtarake.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu