Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca i është përgjigjur deklaratës së bërë këtë pasdite nga ana e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, e cila e akuzoi diplomatin për njëanësi dhe rreshtim të tijin me pozicionin e qeverisë mbi godinën e Teatrit.
Përmes një reagimi, Soreca shkruan se vëren me keqardhje që përgjigja e tij është paraqitur jashtë kontekstit dhe se ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim që Komisioni Evropian ka mbajtur vitin e kaluar mbi këtë çështje, që qeveria do duhet të tregohet transparente në lidhje me prokurimin publik mbi Teatri Kombëtar.
Soreca shton më tutje se ai është i gatshëm të vijojë dialogun me artistët dhe qytetarët e përfshirë në mbrojtjen e godinës që qeveria e të majtëve kërkon të hedhë në tokë.
“Vërej me shqetësim se përgjigjja ime sot ndaj një gazetari për çështjen e Teatrit Kombëtar është paraqitur jashtë kontekstit. Prandaj është e nevojshme të theksoj se sot kam përsëritur qëndrimin e shtatorit të kaluar të Komisionit Evropian, kur autoritetet shqiptare u ftuan për të ndjekur parimet e prokurimit publik të BE-së dhe për të siguruar qasje jodiskriminuese në treg. Unë gjithashtu deklarova sot se transparenca e procedurave është thelbësore për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe të lirë. Unë shtova se është e nevojshme që t’i jepet kohë procedurave institucionale për të arritur një vendim për çdo mosmarrëveshje ligjore për këtë çështje, në respekt të plotë të sundimit të ligjit. Në fund përfundova duke thënë se Delegacioni i BE-së është plotësisht i angazhuar për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe është gati të vazhdojë dialogun me artistët dhe qytetarët e përfshirë.”-shkruan Soreca.










