Tashmë janë bërë një muaj që kur ish-kryeministri Nikolla Gruevski në vend që të shkojë në burg për të vuajtur dënimin, ai u arratis drejt Hungarisë. Ai me ndihmën e diplomatëve hungarez u arratis përmes kufirit me Shqipërinë, duke kaluar më pas në Mal të Zi, Serbi dhe duke ërpfunduar në Hungari, ku kërkoi azil dhe iu pranua.
Nga ana tjetër, skandali i arratisjes ka bërë që askush të mos marrë përgjegjësi direkte dhe të jap llogari, duke u dorëhequr. Prokuroria Publike paralajmëron se për dy javë do të ketë informacionet e para për ikjen e Gruevskit, raporton MIA.
Gruevski ishte dënuar për rastin “Tanku” që ka të bëjë me blerjen e një Mercedes Benzi në vlerë prej 600 mijë euro, përmes një procedure me shumë shkelje dhe urdhëra të paligjshëm. Ai u dënua me 2 vite burg dhe duhej të vuante dënimin në burgun e Shuto Orizarës. Mirëpo në vend që të shkojë në burg, Gruevski në orët e fundit kishte planifikuar arratisjen, duke e bërë mision të suksesshëm, pasi që vetëm pak orë më pas ai kishte lajmëruar përmes një postimi në facebook se gjendet në Budapest. Ministria e Drejtësisë në Shkup ka kërkuar ekstradimin e Gruevskit, pas fletëarrestit të lëshuar ndërkombëtarë. (INA)










