Publikimi i faturave të kripura të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ku ajo ka harxhuar deri në 700 euro nata për t’u akomoduar në hotelet më luksoze, ka shkaktuar zemëratë dhe indinjatë në opinionin publik, pasi këto shpenzime janë paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Në një reagim në rrjetet sociale ministrja u justifikua me argumente qesharake duke luajtur rolin e viktimës.
Ajo u shpreh se këto shpenzime kanë qenë për të gjithë delegacionin dhe se rezervimet në hotele janë bërë nga organizatorët.
Ndonëse këto justifikime nuk u morën për bazë nga shumica e qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkojnë shkarkimin nga detyra të saj, ka nga ata që i dalin në krah ministres Gjonaj, madje e mbrojnë me zjarr atë.
Bëhet fjalë për ish-diplomaten e shkarkuar nga Rama, Pranvera Skana, e cila i ka dalë mbrotje ministres së Drejtësisë.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Skana shprehet se Gjonaj nuk duhet të ndihet në siklet për fjetjen në hotele luksoze, pasi sipas saj një ministër duhet të ndihet i sigurtë dhe meriton një pritje dinjitoze.
Reagimi i plotë:
“Etilda mos u komplekso! …. Eshte krejt normale që të qendrosh në një hotel dinjitoz…. E jo te akomodohesh në skutliqet e botes! Së pari ky është një standart sigurie, që ta kërkon edhe shteti pritës. Së dyti për arsye kohore, axhenda e një ministri është intensive dhe askush nuk mund të akomodohet në një HOTEL në periferi në një zonë të 6 të Londrës qe merr dy orë me tren për të mbërritur në qendër aty ku janë të vendosura institucionet për takimet, me dhe pa trafikun e çmendur të këtyre metropoleve. Se treti cdo politikan edhe ai shqiptar meriton një përfaqësim dinjitoz në vendin pritës e jo te endet neper skutliqe. Së katërti, mbrojta publike që ju bëtë ishte shumë e dobët, ose më saktë këshilltarët tuaj të komunikimit ishin të dobët. Së pesti, je një ministre që përfaqëson shumë mirë Shqipërinë jashtë dhe kjo ka më shumë rëndësi, për këtë i referohem vizitës tuaj të fundit në Londër në kohën që unë punoja atje.”










