Ukraina përfshihet në letrën drejtuar SHBA-së e BE-së: Kosova shtet sovran, duhet qasje më e ashpër ndaj Serbisë

Ukraina është përfshirë në një nivel përfaqësimi si bashkëautore e një letre përmes së cilës SHBA-së, BE-së e Mbretërisë së Bashkuar u është kërkuar qasje më e ashpër ndaj Vuçiçit dhe që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara. Në letër theksohet se “Kosova është vend sovran”, ndonëse Ukraina ende nuk e njeh pavarësinë e shtetit Ballkanit.

Lufta e Rusisë dhe rreshtimi i Kosovës përkrah Ukrainës e bëri së paku të diskutueshme çështjen që Ukraina ta njohë pavarësinë e shtetit më të ri të Ballkanit.

Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, një deputet ukrainas, Oleksiy Goncharenko pa se kjo pjesë e Ballkanit, siç alarmohej, mund të prekej nga efektet e luftës që po zhvillohet në vendin e tij. Saktësisht një vit më parë, më 5 gusht 2022 kishte vendosur ta dorëzonte në Parlamentin e Ukrainës një draft-rezolutë për njohjen e Kosovës.

Befasisht, komiteti i jashtëm i Parlamentit të Ukrainës iu bashkua disa politikanëve të Gjermanisë, SHBA-së e Mbretërisë së Bashkuar në një letër drejtuar krerëve të shteteve të fuqishme Perëndimore dhe vetë Bashkimit Europian, duke kërkuar qasje më të ashpër ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Tendencat e Serbisë për t’i penguar zgjedhjet demokratike në Kosovë duhet që publikisht të kritikohet si interferim i huaj dhe duhet të ndërmerren masa konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse, nëse vazhdon t’i rrezikojë zgjedhjet e lira dhe demokratike”, thuhet në letrën drejtuar kryediplomatit europian, Josep Borrell, Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken dhe Sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly.

Sipas Tagesspiegel, letra është nënshkruar nga kryetarët e komiteteve të politikës së jashtme të Bundestagut, Michael Roth (SPD) dhe Senatit të SHBA, Bob Menendez, por edhe kryetarët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës Britanike të Komunave dhe parlamenteve të Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

“Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politika me qendër Beogradin në Ballkan”, thuhet në letër, ku bëhet thirrje për kthim në “ekuilibër dhe proporcionalitet” në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

“Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale. Ky fakt duhet të jetë baza e politikës sonë të përbashkët ndaj krizës aktuale”, thuhet ndër tjerash në këtë letër.

Aty shprehet gjithashtu shqetësimi për afrimin e mundshëm të Beogradit me Moskën, duke theksuar se BE dhe SHBA po ndjekin një politikë të butë në lidhje me Serbinë.

Qeveria e Vuçiqit nuk po merr pjesë në sanksionet kundër Moskës. Presidenti rus Vladimir Putin gëzon simpati në mesin e popullatës serbe, ndërsa shumë serbë po refuzojnë anëtarësimin e plotë të vendit të tyre në BE, gjë që nuk është parashikuar deri më tani, shkruan Tagesspiegel.

Në Ukrainë ka opinione të ndara për çështjen e njohjes së Kosovës, thotë deputeti ukrainas, Goncharenko në një intervistë për Gazetën Express vitin e kaluar. Ai beson se është koha që Ukraina të mos qëndrojë mënjanë dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës. Tha se Parlamenti i Ukrainës po punon edhe në kohë lufte dhe se ekziston mundësia e shqyrtimit të një vendimi të tillë. Qëndrimin e presidentit Volodymyr Zelensky kishte thënë se nuk e dinte, por ai vet, si deputet opozitar, është i vetëdijshëm se nevojitet një dialog në përpjekjen që shumica e deputetëve ta mbështesin nismën e tij.


>

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu