Ukrainës dhe Moldavisë u jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE

Këshilli i Evropës sapo ka vendosur që Ukrainës dhe Moldavisë t’u jepet statusi i vendit kandidat për t’u anëtarësuar në BE. Lajmin e bën të ditur presidenti i KiE, Charles Michel në një postim në Twitter.”

Një moment historik e cilëson Michel këtë zhvillim të radhës për rrugën e integrimit të Ukrainës në bllok.

“Marrëveshje. Këshilli i Evropës sapo ka vendosur që të japë statusin e vendit kandidat në BE për Ukrainën dhe Moldavinë. Një moment historik. Sot shënohet një hap vendimtar në rrugën tuaj drejt BE-së. Urime @ZelenskyyUa dhe @sandumaiamd dhe popullit të Ukrainës dhe Moldavisë. E ardhmja jonë është së bashku.”

Ndërsa, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një reagim në Twitter shprehet se lumtur që qëndrimi i mbajtur më herët nga KE për Ukrainën, Moldavinë e Gjeorgjinë është mbështetur nga liderët e BE-së për të vijuar me pjesën e radhës të procesit.

“E di që ata do të lëvizin me shpejtësi. Ata e dinë se sa vendimtare është kjo për demokracitë, ekonomitë dhe qytetarët e tyre.”

Kujtojmë se liderët e Bashkimit Evropian u mblodhën të enjten në Bruksel për të diskutuar rreth aplikimit të Ukrainës, Moldavisë e Gjerogjisë, për t’u anëtarësuar në bllok. Ndërsa Ukraina dhe Moldavia morën dritën jeshile, KE vlerësoi se Gjerogjisë do t’i jepet sërish mundësi në një fazë të mëvonshme.

27 krerët e shteteve do të diskutojnë gjithashtu mënyrat për të përshpejtuar eksportin e drithërave të bllokuara në Ukrainë, si dhe propozimin e Francës për të krijuar një Komunitet Politik Evropian për t’u mundësuar vendeve evropiane që nuk janë shtete anëtare të krijojnë marrëdhënie më të ngushta me bllokun.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu