Universiteti i Tetovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. Kjo marrëveshje është firmosur nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof.Dr. Vullnet Ameti dhe Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Doc.Dr. Agim Nuhiu.
Nisur nga nevoja për bashkëpunim të ndërsjellë, të zbatimit efikas të kompetencave të përcaktuara me ligj, si përgatitje për bashkëpunim efikas, e që do të kontribuojë për këmbimin e përvojave, kuadrove profesionale nga lëmi i sigurisë, i së drejtës, ekonomisë, informatikës, si dhe duke vërtetuar angazhimin dhe interesin e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit në lëmin e edukimit dhe trajnimit të kuadrove nga lëmi i sigurisë, të së drejtës dhe ekonomisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Maqedonisë, Universiteti i Tetovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë, u pajtuan që të bashkëpunojnë në mënyrë të ndërsjellë, që të ofrojnë ndihmë dhe përkrahje, me qëllim të këmbimit të përvojave, njohurive, edukimit dhe trajnimit të kuadrove nga lëmi i sigurisë dhe kriminalistikës.
Rektori i Universiteti të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti tha se sipas marrëveshjes palët do të bashkëpunojnë në forma të ndryshme. “Ministria e Punëve të Brendshme dhe Universiteti i Tetovës do të bashkëpunojnë përmes formave të ndryshme, e veçanërisht përmes organizimit të seminareve të përbashkëta, tryezave të rrumbullakëta dhe formave të tjera të bashkëpunimit; edukimit dhe trajnimit të kuadrove nga Ministria e Punë të Brendshme në Fakultetin Juridik – Programi studimor i Kriminalistikës; mundësimin e shfrytëzimit të literaturës profesionale të bibliotekës së Universitetit të Tetovës për nevojat e të punësuarve në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe anasjelltas; dhënien e ndihmës profesionale nga ana e Universitetit të Tetovës gjatë përgatitjes së propozimeve të caktuara të akteve ligjore dhe nënligjore, që janë në kompetencë të Ministrisë për Punë të Brendshme; angazhimit të ekspertëve nga Ministria e Punëve të Brendshme (juristë, teknikë të kriminalistikës, inspektorë dhe kuadër tjetër profesional), në procesin mësimor të Universitetit të Tetovës, përmes ligjëratave ose trajnimit praktik të studentëve; vënies në dispozicion të hapësirave të Qendrës për Trajnim në Idrizovë, për pjesën praktike të studentëve nga Programi studimor i Kriminalistikës – Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës”, tha Rektori i UT-së, Prof.Dr. Vullnet Ameti.
Akti i bashkëpunimit hyn në fuqi nga dita e djeshme, më 6 tetor 2016, ndërsa kontestet që mund të rezultojnë gjatë zbatimit të këtij Memorandumi për bashkëpunim, do të zgjidhen me marrëveshje të ndërsjellë mes Ministrisë për Punë të Brendshme dhe Universiteti i Tetovës./zhurnal