Një valë e re e rritjes së çmimeve të ushqimeve pritet në muajt e ardhshëm, ndërsa presioni më i madh mund të ndihet te produktet që konsumatorët blejnë çdo ditë, si buka, makaronat, frutat, perimet dhe produktet e qumështit.
Sipas analizës më të fundit të Oxford Economics, çmimet globale të ushqimeve pritet të rriten këtë vit me 11.8 për qind, ndërsa rritja mund të vazhdojë edhe gjatë vitit 2027, me një shtesë prej 4.8 për qind.
Arsyet janë të shumta. Temperaturat ekstreme dhe thatësira në Evropë tashmë kanë shkaktuar dëme në kulturat bujqësore, ndërsa fermerët po përballen njëkohësisht me kosto më të larta të energjisë dhe plehrave bujqësore. Presion shtesë mbi çmimet po krijojnë edhe luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.
Gruri mund të pësojë rritjen më të madhe
Një nga produktet që pritet të shtrenjtohet më shumë është gruri. Çmimi i tij në tremujorin e tretë të këtij viti pritet të jetë rreth 36 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo rritje mund të reflektohet gradualisht edhe në çmimet e bukës, makaronave, biskotave dhe drithërave të mëngjesit.
Te ushqimet e freskëta, rritja e çmimeve mund të ndihet më shpejt. Ekonomistët vlerësojnë se çmimet më të larta të frutave dhe perimeve mund të fillojnë të vërehen që në tetor dhe nëntor.
Ndërsa te ushqimet e përpunuara, ndikimi zakonisht shfaqet me vonesë dhe rritja më e madhe mund të ndihet nga shkurti deri në maj të vitit të ardhshëm.
Megjithatë, rritja e parashikuar prej 11.8 për qind i referohet çmimeve globale të lëndëve të para bujqësore. Kjo nuk do të thotë se të gjitha produktet në markete do të shtrenjtohen automatikisht me të njëjtën përqindje.
Çmimi përfundimtar ndikohet edhe nga kostot e prodhimit, transportit, përpunimit dhe tregtimit.
Sipas parashikimeve, mishi pritet të jetë më pak i prekur nga vala e re e shtrenjtimit, ndërsa rreziku më i madh për rritje të çmimeve është te drithërat, frutat, perimet dhe produktet e qumështit.










