Ushtria amerikane shton arsenalin për t’u përballur me Iranin

Ushtria amerikane po përgatit arsenalin në Lindjen e Mesme për t’u përballur me një sulm të mundshëm nga Irani. Por, a është kjo lëvizja e duhur dhe për çfarë lloj kërcënimi bëhet fjalë? Njofton nga Pentagoni VOA.

Si një demonstrim force dhe një sinjal i qartë për Iranin, një njësi raketash Patriot dhe anija ushtarake USS Arlington do t’u bashkohen katër bombarduesve B-52 dhe aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln.

Komandatët ushtarakë kërkuan këtë mbështetje të mëtejshme pasi shërbimet e zbulimit pikasën kërcënime të mundshme iraniane ndaj forcave amerikane në tokë dhe në det.

“Është e rëndësishme që Irani të kuptojë se një sulm ndaj amerikanëve apo interesave tona do të marrë përgjigjen e duhur”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes në detyrë, Pat Shanahan.

Një zyrtar i lartë ushtarak tha se ndër kërcënimet radhiten edhe anije tregtare që Garda Revolucionare e Iranit i ka modifikuar me “paisje ushtarake dhe raketa”.

Por, një ushtarak i lartë britanik i koalicionit kundër Shtetit Islamik iu përgjigj ndryshe pyetjes së Zërit të Amerikës për kërcënimet konkrete.

“Nuk ka patur rritje të kërcënimit nga forcat e mbështetura nga Irani në Irak dhe Siri”, tha Gjeneral Major Chris Ghika, komandanti britanik për strategjinë i koalicionit kundër Shtetit Islamik.

Pas këtij komenti, ushtria amerikane deklaroi se “komentet më të fundit të zëvendëskomandantit të koalicionit bien ndesh me kërcënimet e besueshme të identifikuara nga shërbimet e zbulimit të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate për forcat që mbështet Irani në rajon”. Të gjithë ushtarakët që shërbejnë në Irak dhe Siri janë vendosur tashmë në gjendje të lartë gatishmërie.

“Nëse do të gjenim një mënyrë reagimi të kufizuar, mendoj se duhet të veprojmë. Por, nëse e teprojmë, mund të jemi duke lëvizur drejt luftës”, thotë Michael O’Hanlon, i Institutit Brookings.

Zyrtarët thonë se Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë luftë, por se do të mbrojnë forcat amerikane.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu