Vdekja e 3 kosovarëve në rrugën Shkup-Bllacë, avokati Koci kërkon ndihmë në Maqedoni, ja kërkesat?

Avokati i njohur nga Prishtina, Arianit Koci, ka kërkuar informata mbi aksidentin tragjik në rrugën Shkup-Bllacë, që u mori jetën tre bashkatdhetarëve tanë, përcjell INA.

Përmes një porosie publike, ai ka bërë disa kërkesa për ndihmë:

KËRKESË PËR INFORMATA

Kushdo që ka informata lidhur me aksidentin tragjik në segmentin e autostradës Shkup–Bllacë, ku humbën jetën Ejup Tërnava, Xhenet Tërnava dhe Fatmire Shabani, do të më ndihmonte shumë nëse më kontakton me shkrim.

Si avokat i familjeve të viktimave, në veçanti më intereson të di:

– Kush ka qenë ndërtuesi i këtij segmenti?

– Kush e ka mbikëqyrur ndërtimin?

– Kush ka qenë përgjegjës për sigurimin e segmentit?

Segmenti ka qenë zyrtarisht i mbyllur për qarkullim.

Në momentin e aksidentit, hyrja nga e cila automjeti ka hyrë në këtë segment nuk ka qenë e mbyllur fizikisht.

Rreth 300 metra më poshtë ndodhet një hyrje tjetër në të njëjtin segment, e cila ka qenë e mbyllur fizikisht.

Prandaj, është e rëndësishme të sqarohet:

– Pse dy hyrjet e të njëjtit segment nuk kanë qenë të siguruara në të njëjtën mënyrë?

– A ka qenë hyrja ku ka kaluar automjeti e mbyllur fizikisht në ditët apo javët para aksidentit?

– Nëse po, deri kur dhe kur ka ndryshuar kjo gjendje?

– Kush e ka bërë mbylljen fizike të kësaj hyrjeje pas aksidentit, kur dhe me urdhër të kujt?

Nëse dikush ka fotografi, video, dokumente apo çfarëdo informate tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e këtij rasti, ju lutem të ma dërgojë me shkrim, në cilëndo formë.

Të gjitha informatat relevante do t’ia përcjell Prokurorisë kompetente në Maqedoninë e Veriut, për t’u trajtuar në kuadër të procedurës”, shkruan Koci.

Tre shtetasit e Kosovës Ejup Tërnava, Xhenet Tërnava dhe Fatmire Shabani ndërruan jetë pas një aksidenti të rëndë në Shkup, më 19 korrrik të këtij vit në rrugën Shkup-Bllacë./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu