Në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, ishte e ftuar Donalda, një vajzë 15 – vjeçare. Ajo është rritur në fshatin Libofsh të Fierit, ku vajzat martohen që 15 – vjeç. Jeta e saj do kishte marrë rrjedhë tjetër nëse i vëllai s’do ta kishte marrë me vete në Tiranë. Ajo ka ardhur në emision, për ta falenderuar atë për gjithçka që ajo ka sot dhe për t’i premtuar që do hajë gjithçka që të luftojë aneminë.
Donalda në rrëfimin e saj thotë se për arsye ekonomike e ka lënë shkollën dhe është e vetmja vajzë në fshat që nuk i ka vazhduar studimet. Vëllai i saj studion për Mjekësi dhe i ka mbetur shumë peng kjo gjë. Ajo thotë se ishte një vajzë e mbyllur dhe për dy vite nuk ka dalë pothuajse fare nga shtëpia, për shkak të mentalitetit të fshatit. I vëllai ishte zhvendosur në Tiranë dhe një ditë e kishte marrë në telefon duke i thënë se do e merrte me vete.
“Këtë gjë ia thashë babait si me shaka dhe ai më tha që kjo nuk do ndodhte. Një ditë vëllai erdhi në shtëpi dhe unë u gëzova shumë sepse ai më kishte dhënë fjalën që do më merrte në Tiranë dhe aty pati një debat me babanë. Ai në fillim nuk pranoi sepse tha se unë duhet të qëndroja në fshat sepse njerëzit fillonin e flisnin. Pas shumë përpjekjesh vëllai ia arriti qëllimit dhe unë u nisa për në Tiranë dhe nuk isha kjo që jam sot.
Gjërat atje më ndaloheshin, le të themi nga fshati dhe jo nga prindërit e mi. Im vëlla ishte supervizor në një Call Center dhe më mori të punoja aty me të. Ai u habit se sa shpejt i mësoja unë gjërat. Dhe italishten e mësova për një javë. Një ditë shkova tek prindërit me pantallona të grisura, e lyer dhe sapo më pa babi më dha një shikim që unë nuk e prisja”.
Donalda rrëfen se po të qëndronte akoma më gjatë aty do ishte fejuar, duke respektuar traditën e fshatit, ku vajzat fejoheshin nga familja që 15 – 16 vjeç. Vëllai ishte shpëtimi i saj i vetëm.
“Një ditë kur shkova në punë pashë që isha sëmurë dhe i kërkova leje vëllait tim i cili ishte dhe shefi im. Ndjeva një enjtje në gjoks dhe shkova të bëja analiza fshehurazi vëllait. Për këtë gjë unë i kisha treguar një shoqeje e cila më thoshte të mos shqetësohesha sepse ishte diçka e moshës. Ditën tjetër mora leje për të marrë përgjigjen nëse do operohesha ose jo.
Unë vishja vetëm rroba të gjëra që im vëlla të mos e merrte vesh sepse më vinte shumë zor.
Kjo shoqja kishte shkuar në zyrë dhe e kishte pyetur tim vëlla për mua dhe ky i kishte thënë se ka marrë leje sepse kishte dalë me shoqet dhe në atë moment ajo i kishte treguar gjithë të vërtetën.
Ai kishte lënë punën dhe kishte shkuar tek kumbara jonë me të cilën jemi shumë të lidhur dhe i kishte treguar problemin tim personal. Në mbrëmje unë shkoj në shtëpi dhe i shtroj darkën e më pas ai shkoi në dhomën e tij pa thënë asnjë fjalë, sepse i vinte zor ta diskutonim. Në atë moment mua më merr në telefon kumbara ime dhe më thotë se im vëlla i kishte treguar problemin tim. Hyra në dhomë dhe e shikoja që qante e më tha vetëm një fjalë: ‘Më ke ngrënë në besë’.”
Unë kisha rreth një muaj që bëja analiza dhe vizita duke iu fshehur vëllait. Më mbrapa ai më ka mbështetur për çdo gjë. Atë ditë që do merrja analizat për operacionin të cilat dolën pozitive, vjen rastësisht im atë në shtëpi. Duke e parë në fytyrë unë nuk mundja t’ia thoja dhe i thashë vëllait ta bënte. Sapo e mori vesh ai erdhi e më tha që “do bëhesha mirë” e sapo ktheu kokën filloi të qante. Unë e kreva operacionin e gjithçka shkoi me sukses.
Vazhdova punën dhe pas njëfarë kohe u bëra përsëri operacion në këmbë nga thoi në mish. Humba goxha gjak nga të dy operacionet dhe qëndroja gjatë gjithë kohës e zverdhur në fytyrë. Për këtë gjë meqë dhe vëllai studion për Mjekësi donte që të ma bënte ai analizën e gjakut. Kisha tre javë që isha bërë operacion dhe dola me shoqet për kafe. Atë ditë ai më mori në telefon dhe më tha që vija në shtëpi. Kishte gatuar të gjitha gjërat e mia për mua dhe më tha se vuaja nga anemia e theksuar dhe duhet të shtrohesha në spital. Unë nuk haja asgjë, por edhe nëse filloja të haja gjysmën e hidhja në kosh. Kjo gjë zgjati një vit. Kam qenë 60 kilogramë dhe tani jam 49”.
Gjebrea e pyet për ta ngacmuar: “Është i fejuar vëllai? Je xheloze për nusen e tij?”
“Po, ka gjashtë vite i lidhur dhe është fejuar para 2 javësh. Në fillim isha pak, por tani gëzohem kur e shoh atë të lumtur”, u përgjigj Donalda.
“Kam vënë re që im vëlla është dobësuar dhe do filloj të ha për veten time dhe që të mos e shqetësoj më atë”.
Në momentin kur Juliani ulet përballë monitorit ai kishte një parandjenjë që mund të ishte e motra.
“Juli, kam ardhur sot këtu të të falënderoj për të gjitha gjërat që ti ke bërë për mua. Je pikë referimi për mua, nuk dua të të shoh të mërzitur sepse ti i ke bërë sytë e mi të lumtur. Gjëja tjetër është që unë kam ardhur sot këtu të të premtoj që do ha. Nuk dua që ti të lësh veten tënde pas dore për mua, kjo gjë nuk dua që të ndodhë. Dua që ato gjërat e ëmbla dhe ajo dashuri që ti ke për mua të kthehen dhe njëherë tek unë. Nuk do të të gënjej për asnjë gjë të jap fjalën”, tha Donalda.
“Në këto momente nuk kam fjalë sepse dashuria e vëllait për motrën s’ka kufi. Përpos emocionit, pavarësisht gjithçka ajo është krenaria që unë kam në jetë. Nëse është diçka që unë e kam marrë si përgjegjësi është që ajo të ndihet sa më mirë në jetën e vet dhe unë jam përpjekur të jem prind, meqenëse prindërit i kemi larg dhe shpresoj t’ia kem dalë disi”, iu shpreh Juliani./ tvklan.al