Nga një protestues, në mbyllje të protestës me moton “Drejtësi për Almirin” u vendos flamuri shqiptarë në derën e obrorit të qeverisë së Maqedonisë.
Reagime të ashpra janë nxitur në opinion pas vendimit të Prokurorisë Publike që pas një viti të seancave gjyqësore për vrasjen e katërvjeçarit, Almir Aliu, të ndryshojë veprën penale nga “vrasje me paramendim” në “aksident trafiku”.
Ngjarjes që kishte ndodhur më 25 qershor të 2016-s, i kishte paraprirë një zënkë banale mes autorit të krimit Boban Iliq dhe familjarëve të viktimës.
Pas një rrahjeje mes tyre, pranë urgjencës së qytetit, autori i veprës Iliq, kishte goditur me makinë e tij Almirin 4-vjeç, i cili kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërkaq prindërit e tij kishin marrë lëndime të rënda trupore.
Protestuesit, të cilët kishin ardhur nga e mbarë Maqedonia, në rrethojat e ndërtesës së Qeverisë kanë vendosur lodra dhe gjësende të tjera, për të përkujtuar, siç thanë organizatorët e protestës, autoriteteve qeveritare se për çka duhet të angazhohen dhe që drejtësia të vihet në vend.










