Veteranët e politikës “out” Parlamentit, ja emrat që nuk u bënë deputetë?

Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit kanë sjellë jo vetëm emra të rinj në Parlamentin e Kosovës, por edhe largimin e disa figurave të njohura politike që për vite me radhë kanë qenë pjesë e legjislativit.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila siguroi 53 ulëse apo 47.13 për qind të votave, do të përfaqësohet me një përbërje të re parlamentare. Nga kjo parti nuk arritën të zgjidhen deputetë ish-ministrja Rozeta Hajdari, si dhe Fatos Geci, Naim Bardiqi, Enver Dugolli, Egzon Azemi dhe Mytaher Haskuka.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila fitoi 22 mandate apo 19.44 për qind të votave, do të mbetet pa disa prej figurave të saj të njohura. Nait Hasani, Xhavit Haliti, Hajdar Beqa dhe Adriatik Berisha nuk arritën të sigurojnë votat e nevojshme për të fituar mandat deputeti.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila do të ketë 18 deputetë në Kuvend, nuk do ta ketë në përbërjen e re deputeten e deritanishme Adelina Thaçi. Po ashtu, Jeta Statovci dhe Haxhi Avdyli, të cilët garuan në listën e koalicionit të udhëhequr nga presidentja Vjosa Osmani, nuk arritën të sigurojnë mandat.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të përfaqësohet me shtatë deputetë. Megjithatë, përbërja e grupit parlamentar mund të pësojë ndryshime pasi Ardian Gjini dhe Daut Haradinaj kanë paralajmëruar se do të heqin dorë nga mandati i deputetit. Sipas rezultateve aktuale dhe kuotës gjinore, jashtë Kuvendit mbeten edhe Bekë Berisha dhe Burim Ramadani.

Kështu, zgjedhjet e fundit sollën një ndryshim të dukshëm në skenën politike, duke lënë jashtë Kuvendit disa nga emrat më të njohur të legjislaturave të kaluara./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu