Videoja e Vetëvendosjes që ‘trazoi’ opozitën. Analistët: Ky është mesazhi i fuqishëm që fshihet pas saj

Lëvizja Vetëvendosje përmes një videoadresimi në Facebook, ka kritikuar opozitën, duke thënë se janë duke u rigrupuar në mënyra të tjera pasi sipas tyre “nuk duan ta shohin Kosovën mirë”.

“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin”.

“Herë vetëm e herë njëri me tjetrin. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme, por praktikisht në një qëllim: Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihni veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion e si çka tjetër”, thuhet në mesazhin që përçon video e LVV-së, e cila ilustrohet me disa nga figurat e opozitës së tanishme dhe figurat e qeverisjes së kaluar.

Partia që e ka shumicën parlamentare thotë se opozita po e vazhdon luftën ndaj shtetit në mënyra të tjera.

“Lufta e tyre ndaj shtetit ka kaluar në një nivel tjetër. Sabotim kudo përmes organizmave të kapur. Prodhojnë emergjenca në mënyrë që asnjëherë të mos merremi me shtetin dhe shoqërinë siç duhet”, vijon mesazhi i LVV-së duke prezantuar foton e liderëve opozitarë dhe drejtuesve të SBASHK-ut.

“Zhurmë, sharje, grevë e çka tjetër, vetëm për të sabotuar shtetin dhe sulmuar Qeverinë”, vijon tutje mesazhi i LVV-së.

E gjithë kjo video, bëri që raportet pozitë – opozitë të acarohen edhe më shumë, edhe pse nuk është që ishin të mira. Mirëpo, ende nuk po dihet nëse ky mund të jetë një paralajmërim i tërthortë nga partia në pushtet për ata që keqqeverisën me shtetin.

Analistët për “Bota sot” komentuan mesazhin e kësaj videoje.

Qarri: Shumica e liderëve të inkriminuar opozitar të Kosovës, të cilët bëjnë kaq shumë zhurmë

Së pari, analisti politik, Gani Qarri u shpreh se ka fakte dhe të dhëna të mjaftueshme që argumentojnë deklaratat e LVV-së në videon e fundit.

“Në fakt, e pranuan, apo jo, ka të dhëna të mjaftueshme dhe të argumentuara me fakte tepër bindëse, se shumica e liderëve të inkriminuar opozitar të Kosovës, të cilët bëjnë kaq shumë zhurmë, për asgjë, janë bërë multimilioner pikërisht përmes hajnisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar, në dëm të shtetit të Kosovës, duke bashkëpunuar hapur, për më tepër se dy dekada edhe me bandat dhe kryekriminelët serb të veriut, të vendosur, para disa kohe edhe në Listën e Zezë të SHBA-ve.

Madje pas Prokurorisë së Ferizajt, e cila i ka gjetur shumicën e politikbërësve kryesor partiak e ish-shtetëror të involvuar në aktet e dëmtimit publik, tërë parkut kombëtar “Sharri”, ditëve të fundit Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar edhe një video në të cilën flitet hapur për “shkatërruesit e shtetit”, ku shihen të defilojnë me emra, fotografi e pamje filmike, edhe musketarët Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Sami Lushtaku etj”, deklaroi ai.

Qarri në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se personat e cekur me emra në videon e LVV-së dhe mediat gjithandej, janë mësuar të qëndrojnë mbi shtetin e ligjin, prandaj reaguan ashpër.

“Prandaj, janë pikërisht ata dhe shokët e tyre, që sot nuk mund ta durojnë një Qeveri, e cila e lufton me vendosmëri kontrabandën, korrupsionin, pasurimin e paligjshëm dhe krimin e organizuar

Për aq më tepër, duke qenë se, personat e inkriminuar, të cekur edhe me emra në videon e LVV-së dhe mediat gjithandej, të mësuar të qëndrojnë mbi shtetin e ligjin dhe të paprekshëm nga drejtësia e kapur e vendit, vetëm publikimi i një videoje, që pasqyron veprat e dënueshme anti-ligj dhe anti-shtet, ka nxitur reagime të shumta nga aktorët e këtyre të bëmave dhe kumbarët e tyre”, theksoi analisti.

Megjithatë, ai potencoi se faktet e dëshmojnë të kundërtën e asaj që personat e përfshirë në këtë video e thonë.

Ai tha se ata nuk kanë hezituar të koketojnë edhe me grupe të rrjeteve mafioze ndërkombëtare.

“Por, faktet janë aq kokëforta sa që dëshmojnë katërçipërisht, se personat e cekur, përveç bashkëpunimit me grupet e rrjeteve të krimit të brendshëm, nuk kanë hezituar të koketojnë edhe me grupe të rrjeteve mafioze ndërkombëtare, pasojat e të cilave, përveçse kanë penguar zhvillimin dhe izoluar tërësisht Kosovën nga bota demokratike, kanë rrezikuar edhe vetë shtetin e Kosovës, akte për të cilat, ende, askush nuk është thirr në përgjegjësi para ligjit.

Kështu që megjithëse disa gjejnë forcë ta pranojnë se emrat e përfshirë në video kanë keqqeverisur, duan ta mohojë faktin se e kanë dëmtuar edhe shtetin, ndonëse që nga pasuria e grumbulluar kundërligjshëm, bashkëpunimi me kryebanditët e veriut si Zvonko Veselinoviqi, Millan Radojçiqi etj, të cilët ka kohë që janë vendosur në Listën e Zezë të SHBA-ve dhe vazhdojnë të kërkohen nga ligji për arrestim, deri te nënshkrimi dhe miratimi i marrëveshjeve kundër kushtetuese për formimin e “zajednicës” një etnike serbe, xhambazllëkut dhe faljes së tokave tona autoktone vendeve hegjemoniste fqinje, e deri te kërkesa publike për ndarjen e Kosovës, janë vepra të tyre”,
shpjegoi Qarri.

Më tej, analisti tha se pamjet autentike, nuk durojnë më asnjë komentim, që del jashtë kornizave të së vërtetës dhe realitetit të hidhur, mbi bëmat e tyre, antiligjore, antikombëtare dhe antishtetërore.

“Duke nisur nga Hashim Thaçi, i cili nuk hezitoi ta quante veriun e vendit tonë edhe tokë të Rankoviqit, bëri publikisht kërkesën për ndarjen e shtetit dhe urdhëroi pagesën e firmave të huaja me parat e taksapaguesve të Kosovës, për promovimin e ndarjes së vendit edhe në botë, janë akte të dënueshme, të tij dhe po atyre njerëzve, që paraqiten edhe me pamje e fotografi në videon e publikuar nga LVV-ja, ndaj nisur nga maksima se një fotografi flet më shumë se 1000 fjalë, pamjet autentike, nuk durojnë më asnjë komentim, që del jashtë kornizave të së vërtetës dhe realitetit të hidhur, mbi bëmat e tyre, antiligjore, antikombëtare dhe antishtetërore, të cilat jo vetëm që e kanë stërngarkuar agjendën e rrugëtimit evropian dhe penguar perspektivën e integrimit të vendit në BE, por kanë rrezikuar edhe vet shtetin e Kosovës”, potencoi ai.

Qarri shtoi se pas kësaj video und të fshihet një mesazh shumë i madh për personat e cekur në video dhe grupet e lidhura me ta.

“Ndaj ky hap i LVV-së, mund të jetë edhe një mesazh i madh e shumë domethënës, për personat e cekur në video dhe grupet e lidhura me ta, se me të përfunduar reforma në drejtësi dhe implementuar Vettingu, vet ligji do të kërkojë që të gjithë të inkriminuarit, të cilët kohët e fundit, po zbulohen njëri pas tjetrit, nga prokuroria se e kanë dëmtuar, pariparueshëm edhe zonën e mbrojtur të parkut kombëtar “Sharri” në Brezovicë, duke blerë troje dhe ndërtuar me leje të organeve paralele të Serbisë, në vendin ku ndërtimi ishte i ndaluar me ligjet e Republikës së Kosovës, që nga Hashim Thaçi, Enver Hoxhaj, Hajredin Kuqi, Memli Krasniqi, Abelard Tahiri, Bekim Çollaku e deri te Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj etj, ata do ti paguajnë jo vetëm me para, por edhe me arrestime dhe dënime ligjore me burg, për të gjitha dëmet e shkaktuara kundër pasurive të vendit dhe shtetit të Kosovës”, nënvizoi analisti.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe prapaskenat e tentimeve të opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

“Krejt kjo ka bërë që pas huqjes epike të aktit të pashembullt, të grevës mbi pesë-javëshe në arsim, me të cilën opozita e inkriminuar shpresonte se, ashtu siç kishte paralajmëruar në kor me Vuçiqin dhe Listën Serbe, të gjithë bashkë, në shtator do ta rrëzonin edhe Qeverinë Kurti-2, tani të fillojnë me shantazhe të reja, që tek qytetarët e Kosovës, me të drejtë po ngritin shqetësimin, se orkestrimi i zhvillimeve të fundit opozitare, në Republikën e Kosovës, po bëhet pikërisht, për ta penguar edhe procesin e vendimmarrjes në BE për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, gjë që do të ishte sërish një akt i paprecedent kundër qytetarëve dhe shtetit të brishtë të Kosovës së shumëvuajtur nga po ata”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

Mehmeti: Video e VV-së s’ka asgjë të pavërtetë, çdo gjë aty është reale

Kurse, edhe analisti tjetër Faton Mehmeti, tha se video e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk përmban asgjë të pavërtetë.

Madje, sipas tij, çdo ditë duhet kujtuar ‘shkatërruesve’ atë që ia bën shtetit.

“Çdo ditë duhet kujtuar atyre që e shkatërruan vendin për dëmet e tyre, në veçanti kur të njëjtit mbajnë moral për qeverisje. Video e VV-së s’ka asgjë të pavërtetë, çdo gjë aty është reale. Për dëmet, degradimin e vendit dikush duhet të jap përgjegjësi, nuk guxon të mbetet vetëm në formë kujtimi, por edhe ndëshkimi”, tha ai.

Krahas kësaj, analisti potencoi se vetëm duke forcuar shtetin dhe reformuar drejtësinë mund të arrihet deri te arrestimi i personave që shkatërruan shtetin.

“Duke forcuar shtetin ligjor, duke ç’kapur drejtësinë nga kapësit mund të vihet deri tek arrestimi i atyre që shkatërruan vendin, konfiskim të pasurisë dhe mbi të gjitha vënin e drejtësisë. Kosova askujt nuk i kishte borxh për ta vjedhur, andaj ata që vodhën duhet ta kthejnë pasurinë e popullit dhe të marrin dënimin. Besoj, dhe për këtë VV ka ardhur në pushtet, për të çuar para drejtësisë kapësit e shtetit”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu