“Viti 2018 përcaktues për integrimin evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë”

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, deklaroi se Shqipëria dhe Maqedonia presin që viti 2018 të jetë një vit përcaktues për rrugën e mëtejshme në procesin e integrimit evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

Bushati u takua me zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani, ndërsa dhanë edhe një deklaratë të përbashkët për mediat.
Në fjalën e tij, ministri Bushati tha se “Konstatojmë zhvillime pozitive në Maqedoni, kam parasysh librin e reformave që ka vendosur përpara tryezës qeveria e kryeministrit Zaev(Zoran Zaev), ku faktori politik shqiptar në qeverisje ka një kontribut të rëndësishëm”.

Më tej Bushati u ndal edhe te miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, duke e konsideruar si një nga arritjet më madhore. “Kemi avancim të qartë të përdorimit të gjuhës shqipe, në përputhje me kërkesat e faktorit politik shqiptar atje e mbështetur nga ne dhe komuniteti ndërkombëtar që punon për demokratizimin e mëtejshëm të Maqedonisë. Ne duam të mbështesim Maqedoninë për zbatimin e plotë të reformës, sidomos të asaj që ka të bëjë me përdorimin e gjuhëve. Duam të nxisim të gjithë aktorët politik në Maqedoni që të ecin përpara në krijimin e një fryme mirëkuptimi ndëretnik për të mos penguar këtë reformë të rëndësishme. Nga ana tjetër, jemi të gatshëm që përmes institucioneve tona edukative e shkencore të ndihmojmë Maqedoninë për zbatimin e duhur të ligjit për përdorimin e gjuhëve, e kam fjalën për përdorimin e gjuhës shqipe”, tha Bushati.

Duke folur për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë, Bushati tha: “Si ne ashtu edhe Maqedonia presin që viti 2018 të jetë një vit përcaktues për rrugën tonë të mëtejshme në procesin e integrimit evropian. Shpresoj dhe uroj që për Maqedoninë të jetë edhe përsa i përket procesit të anëtarësimit në NATO. Ky konstatim dhe pritshmëria jonë bazohet mbi stadin e reformave, përpjekjet që kemi bërë gjatë kësaj periudhe dhe gjithashtu këto pritshmëri bazohen edhe mbi pritshmëritë që kanë qytetarët tanë, të cilët janë nxitësit kryesorë të reformave që ne kemi ndërmarrë.”

Osmani gjatë deklaratës tha se Maqedonia dhe Shqipëria këtë vit gjenden përpara sfidave dhe mundësive historike.

“Ne në Maqedoni e kemi shpallur vitin 2018 një dritare të artë të mundësisë për të bërë një hap drejt integrimit në BE dhe në NATO. Kemi disa pika të rëndësishme në vitin 2018, e para është ajo e strategjisë për zgjerim, e quajtur si strategji e besueshme për Ballkanin Perëndimor. Vlerësimi jonë është që kjo strategji nuk mund të jetë e besueshme pa pasur Shqipërinë dhe Maqedoninë brenda. Rajoni duhet të rrugëtojë bashkë në këtë proces, natyrisht duke u bazuar në meritat individuale të secilit shtet. Përveç BE-së ne kemi dhe një sfidë tjetër ajo e integrimit në NATO. Për ne është jetësor integrimi në NATO si shqiptarë në Maqedoni, por dhe si shtet për shkak edhe të ndikimeve të shumta gjeopolitike, të cilat mund të rrezikojnë të ardhmen e vendit”, tha Osmani.

Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë gjatë vizitës në Shqipëri u takua edhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryetarin e opozitës dhe njëkohësisht kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulizm Basha.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu