VMRO-BDI luten për shtyerjen e zgjedhjeve, frikësohen se do të përfundojnë në burg! Opozita i mirëpret ato..

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare për 11 dhjetor ashtu siç u morrën vesh katër partitë më të mëdha politike me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar për dalje nga kriza politike e Maqedonisë, dita ditës po zbehet. Mirëpo nëse do të ndodh një gjë e tillë, dhe kujt do i përshtatej më shumë shtyerja eventuale e zgjedhjeve parlamentare, për Almakos flasin anëtari i Këshillit Opozitar, Orhan Murtezani dhe politikologu Abdylvehab Ejupi.

Orhan Murtezani: VMRO-BDI luten për shtyerjen e zgjedhjeve

orhan

“Shtyrja eventuale e zgjedhjeve duket se më shumë do t’i leverdiste pushtetit, pra VMRO-së dhe BDI-së edhe atë për disa arsye. Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbahen bashkë me ato lokale partitë në pushtet do të kishin më shumë mundësi që përmes pushtetit lokal të kënaqin më shumë apetite dhe t’i amortizojnë përçarjet brenda partiake të cilat janë shumë të theksuara brenda BDI-së. Një arsye tjetër për prolongimin eventual të zgjedhjeve mund të ishte përfundimi i mandatit të Prokurores Speciale, mandat i cili zgjatë 18 muaj, që pushteti pastaj ta shfrytëzojë si argument se në radhët e tyre nuk ka keqpërdorim të detyrës dhe korrupsion, pra veten te shpallin fitues në betejën me Prokurorinë Speciale. Dhe e fundit, e cila duket se më shumë vlen për kampusin politik shqiptar, rënia e përkrahjes në zgjedhjet parlamentare do të ishte fatale në zgjedhjet lokale. Fakti që në Maqedoni nënshkruhen marrëveshje për dalje nga kriza dhe pastaj bëhet gjithçka për të mos i respektuar ato, i dekurajon edhe më shumë dhe ndikon që qytetarët ta humbin edhe atë pak shpresë që e kanë se mund të bëhet më mirë. Në rast se pushteti nuk i mbron interesat e qytetarëve dhe nuk i respekton marrëveshjet, kjo mund të ndikojë që edhe qytetarët të fillojnë ta parashtrojnë pyetjen vallë pse ata duhet ta respektojnë kontratën që e kanë me shtetin përderisa shteti vazhdimisht e shkelë atë”, deklaroi Orhan Murtezani për Almakos.

Abdylvehab Ejupi: Pushtetarët po frikësohen të ballafaqohen me frustrimin e popullit, do të përfundojnë pas grillave

ejupi

“I vetëdijshëm për kompleksitetin dhe absurditetin e pafundshëm politik, ekonomik, diplomatik e sociologjik në të cilin ndodhet Maqedonia, si dhe për mosdukjen e dritës në fund të tunelit, për daljen nga ky rreth vicioz, nga njëra anë, dhe të qëndruarit duarkryq ose mosveprimi, viza vij mosshkuarja në zgjedhje, që ky akumulim i frustrimit dhe zhgënjimit i qytetarit të Maqedonisë të mund ta vjell – në kuptimin e dënimit politik atyre që e sollën vendin në këtë gjendje absurditeti, definitivisht që iu konvenon strukturave aktuale në pushtet të tenderokratëve dhe përfituesve klanor, të cilët duke u ndjerë fajtorë për krimet e bëra, po bëjnë drama të tipeve “flasim shqip në parlament”, e hapim Universitete te reja, e gjithë kjo në funksion të zgjatjes edhe për ca momente të jetës së tyre politike me këto privilegje të përkohëshme. Në fakt, lufta e tyre për shmangie të ballafaqimit me popullin (zvjedhje) është “normale”, pasi të gjendur fajtor për gjitha krimet e bëra, jeta e tyre është, jetë a vdekje. Nëse vazhdon kjo agoni, ata qëndrojnë në pushtet, e nëse ballafaqohen me frustrimin e popullit, ata shumë mirë janë të vetëdijshem se jeta post-politike e tyre do të jetë pas grillave. Kur them kompleksitetin, kam parasysh manipulimet në zgjedhje me numrin e votuesve real e fiktiv të madh, me vjedhjet dhe shantazhet e panumërta që dijnë ti bëjnë, me mënyrën e padrejtë të ndarjeve të njësive zgjedhore, me diasporën, me manupulimin e mjeteve ekonomike, me propagandat mediale, me shtytjet institucionale…Por, një gjë mos ta harrojmë, herët apo vonë drejtësia del në pah. Patjetër, dënimi i atyre që brenda natës u pasuruan vet dhe varfëruan gjithë popullin, projektuan rastet e montuara dhe dogjën ardhmërinë e popullit të dalin para drejtësisë”, deklaroi Abdylvehab Ejupi për Almakos.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu