VMRO do t’i shtyjë zgjedhjet e parakohshme për shkak të referendumit

Nisma e VMRO DPMNE-së për referendum do të kërkojë nga sovrani mendimin për propozimin francez. Formulimi i pyetjes do të vendoset në vazhdim, por nuk do të jetë për ndryshimet kushtetuese, sepse Kushtetutën do ta mbrojnë deputetët e VMRO DPMNE-së.

Kështu thotë lideri i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski duke theksuar edhe një herë se përkundër publikimeve të rrejshme në opinion, sipas tij, asnjë deputet i VMRO DPMNE-së nuk do të ndihmojë arritjen e 80 votave për të ndryshuar Kushtetutën.

“Garancë se nuk do të ketë ndryshim të Kushtetutës është grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së dhe fjala e tyre e dhënë. Të paktën jo me këto kushte asimiluese dhe hegjemonike që i përmbajnë edhe marrëveshja edhe Protokolli me fqiun lindor, por edhe versioni potencial i kornizës negociuese”, deklaroi Mickoski.

Sipas tij, referendumi aktualisht është prioritet mbi prioritetet dhe është i gatshëm të heq dorë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare deri sa të përfundojë e gjithë procedura e referendumit.

Procesi për mbledhjen e 150 mijë nënshkrimeve do të fillojë sapo të marrin formalisht lejen nga Kuvendi. Kreu i VMRO DPMNE-së tha se nëse pushteti LSDM-BDI ka minimum kapacitet demokratik nuk duhet të pengojë këtë nismë, por nuk përjashton manovra penguese nga kryeparlamentari Talat Xhaferi. /SHENJA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu