VMRO-DPMNE-ja kërkon dorëheqje nga ministrja e kulturës

Opozitarja VMRO-DPMNE këkron dorëheqje nga Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska për shkak të deklaratës së saj se “autorët në vend duhet të krijojnë në lidhje me tema më të ndritshme” në mënyrë që të plotësohen kushtet e Bullgarisë fqinje gjatë negociatave aderuese të vendit me Bashkimin Evropian”. “Ministre që turpërohet dhe e cenzuron kulturës e saj duhet të japë dorëheqje”, thekson zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski. Ministrja Kostadinovska sqaron: lirinë e artistëve nuk mund ta kufizojë askush.

Duke e vlerësuar si skandaloze deklaratën e Ministres së Kulturës, opozitarja VMRO-DPMNE thotë se partia në pushtet LSDM, duke i pranuar kushtet e Bullgarisë për negociata me BE-në, imponon “cenzurë Orwelliane” në artin në vend.

“Ministrja qartë dhe zëshëm e ka konfirmuar frikën në shoqërinë maqedonase, se marrëveshjet e kësaj Qeverie, që i bën me Bullgarinë, shpiejnë drejt asimilimit dhe cenzurës së heshtur të krijimtarisë maqedonase, pasurisë sonë më të madhe. Ajo mes rreshtash tregoi se çfarë përmban dhe çfarë parashikon Protokolii që e kanë miratuar Qeveria e LSDM-së dhe ajo e Bullgarisë. Çdo vepër që do të ketë përmbajtje që sipas palës bullgare vlerësohet si gjuhë e urrejtjes, nuk do të mbështetet me mjete të shtetit.” deklaroi Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.

Ministrja e Kulturës, në deklaratë për Zërin e Amerikës, gjatë ditës së djeshme, në mes tjerash theksoi se në marrëdhëniet me Bullgarinë “duhet të ecet përpara, historia nuk duhet të jetë burgu ynë.”

“Lirisht le të krijojnë, por të krijohet në frymën e asaj që do ta kënaqë popullin dhe publikun, jo diçka që popullin do ta kthejë pas në ato kohë të zymta kur nuk kemi parë asgjë të mirë,” deklaroi Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska.

Pas reagimeve të ashpra, posaçërisht nga ana e artistëve, me gjykimin se pikërisht këto fjalë do të thonë “kontroll i mendimit dhe autorsisë”, Kostadinovska – Stojçevska sot e sqaroi sërish qëndrimin e saj.

“Në qoftë se deklarata, që sot është cak i interpretimeve “të lira”, ka lënduar ndjenja, nxitje, motive dhe përpjekje për të krijuar, më vjen keq. Qëllimi absolutisht nuk është që orientojë ose të kufizojë, përkundrazi, qëllimi im gjithmonë ka qenë dhe do të jetë mbështetja e mendimit dhe shprehjes së lirë,” deklaroi Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska.

Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja vazhdon të kritikohet ashpër edhe për pranimin e të ashtuquajturit Propozim francez për kornizën negociuese në mes Shkupit dhe Brukselit, në të cilin janë përfshirë një sërë kushte bullgare, në mes tjerash edhe ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut për përfshirjen e Bullgarëve si popull kushtetues, por edhe ndryshimin e librave dhe pikave të tjera të referimit sipas leximit bullgar të historisë rajonale.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu