VMRO-DPMNE: Organizohen festa në kohë krize. Grubi: Festa për Marrëveshjen e Ohrit duhet të shndërrohet në festival

Festa e nesërme që do të organizohet me rastin e shënimit të 21-vjetorit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, ngjalli reagime te opozitarja VMRO-DPMNE. Nga kjo parti kritikojnë se pushteti i LSDM-së dhe BDI-së për një festë njëditore do të shpenzojë mbi 70 mijë euro edhe atë në kohë të një krize të rëndë ekonomike dhe në kohë kur shumë qytetarë mbesin pa punë.

“Në mes të një krize të këtillë ekonomike dhe energjetike, nuk e di për të satën herë kjo Qeveri shpenzon shuma të majme parash për ta festuar këtë datë, të cilën kuptohet se e shënojmë edhe ne. Por, mendoj se është me të vërtetë pafytyrësi të shpenzohet këtë shumë në një moment të këtillë”, tha Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE.

Por, edhe përkundër këtyre kritikave, zëvendëskryeministri Artan Grubi paralajmëroi se festa do të shndërrohet në festival siç janë “Egziti” ose “Sani Hill”. Këtë e tha në ngjarjen e sotme për ndarjen e diplomave të Shkollës për liderë të rinj.

“Jam i bindur se nesër në Shkup do të kemi mijëra qytetarë të cilët së bashku do të nisin një traditë të re. Nga viti i ardhshëm synojmë të jetë diçka e ngjashme si Festivali “Sani Hill” që u mbajt para një jave në Prishtinë dhe të cilin e realizoi Dua Lipa dhe diçka e ngjashme si festivali “Egzit” në Serbi apo festivale të tjera. Do të thotë festival një ose dyditor që do të mbahej në Shkup”, tha zëvendëskryeministri Artan Grubi.

Nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, me të cilën udhëheq Grubi, thonë se edhe pse jemi në krizë ekonomike, kjo marrëveshje është themeli i vendit dhe duhet festuar. Festa do të mbahet nesër në sheshin “Skenderbeu” në Shkup ku do të organizohet koncert për ta shënuar 21-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu