VMRO përpiqet ta rrëzojë kryeparlamentarin! Xhaferi: Shikoni veten në pasqyrë para se të akuzoni

Arsyetim të interpelancës së parashtruar dha koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski i cili gjatë fjalimit të tij e kritikoi punën e deritanishme të Xhaferit dhe përgjigjen me shkrim të Xhaferit pas interpelancës së dorëzuar.

“Mbyllja e deputetëve është vepër penale, miratoni ligje në mënyrë kriminele me procedurë të shkurtuar, ndërsa ofendimi i shërbimeve kuvendore paraqet shkelje e kodeksit të kuvendit”, tha Micevski dhe në foltore e grisi kodeksin.

“Thoni se deshët që t’i numëroni deputetët, kjo nuk është e saktë, shërbimet i numërojnë të punësuarit sipas nenit 95 paragrafi 4 dhe kjo nuk është e kontestueshme që ta bëni dhe e bëni rregullisht. Por shërbimet e sigurisë e mbyllin derën por jo sipas kësaj procedure siç bëni ju. Kjo është vepër penale, sipas nenit 12 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë ku janë shkruar vlerat themelore dhe e drejta e lirisë së lëvizjes. Ky është kodeksi i Kuvendit. Këtë kodeks nuk do ta komentoj. Me këtë kodeks shumica parlamentare, BDI dhe LSDM e bënë këtë.” – deklaroi Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.

Kryeparlamentari Xhaferi, rrinte në karrigen e tij të deputetit, kurse seancën e udhëhoqi zëvendësi Goran Misovski. Xhaferi tha se opozita vazhdimisht po e ofendon, duke shtuar se ai do të vazhdojë të punojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme njësoj si deri tani. Sa u takon kritikave, ai porositi se secili duhet ta shikojë veten në pasqyrë para se të akuzojë dikë.

“Shërbimi e ka për detyrë ta bëjë punën e vet në mënyrë të ndërgjegjshme. Nëse i kam mbyllur dyert sipas Rregullores, le të konstatohet gjendja faktike, sepse ashtu është procedura. Për dallim prej dikujt tjetër, unë nuk i kam hapur dyert duke e ekspozuar jetën e njerëzve. Në vitin 2018 këtu hipët, ish-kryeministri im. Po, kryeministri im, unë isha ministër në Qeverinë e tij. Hipi lart, dhe më hodhi ujë. Ku ishit atëherë?” – pohoi Talat Xhaferi, kryetar i Parlamentit.

Në mbrojtje të Xhaferit dolën deputetët e BDI-së dhe LSDM-së, kurse opozita e sulmoi, duke pohuar se interpelancën e mbështet më shumë se gjyma e Maqedonisë.

“Edhe sot po ndodh i gjithë krimi. Sot po ndodh e gjithë farsa. Me shumë vëmendje e dëgjova përgjigjen tuaj këtu në interpelancë kur thatë se – para se të hidhni gurin e parë, shikojeni veten në pasqyrë. Le të flasim për atë se kush e hodhi filxhanin e parë dhe pastaj ta shohim veten në pasqyrë…“ – tha Mile Lefkov i VMRO-DPMNE.

Ndryshe, sipas renditjes së forcave në Kuvend nuk pritet që të votohet interpelanca, thonë nga opozita, por megjithatë shtojnë se qëllimi i kësaj interpelance është që Xhaferi të përgjigjet për sjelljen e tij të pahijshme dhe shkeljen e procedurave të Rregullores. Për debat u paraqitën 41 deputetë, por pa marrë parasysh numrin e deputetëve të paraqitur dhe nëse do të marrin fjalë, është paraparë që seanca të zgjasë deri në mesnatë, kur duhet të ndodhë edhe votimi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu