Von Der Leyen: Serbia të pranojë një njohje de-facto

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përsëriti qëndrimin evropian se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Serbia të njohë de facto Kosovën. Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, zyrtarja evropiane tha se draft-statuti i propozuar së fundi nga diplomatët evropianë, është në qendër të bisedimeve për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja ka vendosur më herët gjatë vitit ndaj Kosovës, pas rritjes së tensioneve.

“Ftojmë edhe Kosovën ta lansojë procedurën për pranimin e Asociacionit të komunave e që është vetëm si draft. Kurse Serbia duhet të pranojë një njohje de-facto dhe dialogu i BE-së është i angazhuar në bisedime. Kjo është mënyra e vetme për të shkuar para, jo vetëm për të ju qasur planit për rritje, por edhe një të ardhme për të cilën shpresojmë që Kosova do të bëhet pjesë Bashkimit Evropian” – Ursula von der Lejen, Presidente e KE-së.

Osmani ndërkaq tha se në takim me zyrtaren evropiane ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese. Sa i përket draft-statutit për Asociacionin, Osmani tha se ky dokument do t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk deshi të deklarojë nëse ajo mendon se është në përputhje me Kushtetutën.

“Vlerësimet e mia do t’i japë edhe me shkrim në momentin që ndodhin hapat e paraparë. Pra, në qoftë se kemi proces të nënshkrimit. Pastaj, kur të shkojë ky draft-statut në Gjykatën Kushtetuese, si presidente e Republikës do t’i dërgojë të gjitha komentet me shkrim, se cilat pjesë të atij drafti duhet të sqarohen që zbatimi të jetë në plotni me Kushtetutën tonë” – Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës

Kosovës dhe Serbisë i është prezantuar një propozim për draft-statutin e Asociacionit. BE-ja ka thënë se ky propozim është një model evropian. Më 26 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel zhvilluan takime të ndara me zyrtarë të BE-së dhe me liderët e Francës, Italisë dhe Gjermanisë. Kurti ka deklaruar se ka qenë i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje për normalizimin e raporteve, por për këtë nuk është pajtuar Vuçiqi. Vuçiq ndërkaq ka thënë se Serbia është e gatshme të respektojë Marrëveshjen drejt normalizimit por, vetëm pjesët që nuk përfshijnë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. /alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu