Rusët që do të shkojnë të votojnë në muajin mars do të kenë mundësinë të fitojnë një iPhone ose një iPad. Sipas një dokumenti të Kremlinit të botuar nga mediat vendase, ky është një ndër opsionet që Kremlini po shqyrton për të siguruar një pjesëmarrje të lartë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Rizgjedhja president e Vladimir Putinit është e siguruar. Megjithëse popullariteti i tij vazhdon të jetë i lartë, anketimet tregojnë se nuk është i tillë imazhi i procesit zgjedhor. Aktivistët e opozitës thonë se Kremlini është i shqetësuar ndërsa përpiqet të ruajë balancën ndërmjet kontrollit të rreptë ndaj fushatës zgjedhore, por në anën tjetër edhe shmangies së apatisë së votuesve.
Aktivistët thonë se Kremlini është i vendosur të sigurojë një nivel të lartë pjesëmarrjeje, për të demonstruar se zoti Putin mbetet “udhëheqësi i pazëvendësueshëm” i Rusisë pas 18 vitesh në pushtet dhe se kontrolli i tij mbi vendin nuk është dobësuar.
I vetmi udhëheqës real opozitar, Alexei Navalny, një aktivist kundër korrupsionit, është përjashtuar nga pjesëmarrja në zgjedhje. Ndalimi i kandidimit të tij u miratua javën e kaluar nga Gjykata e Lartë e Rusisë.










