Vuçiç: Jemi larg zgjidhjes për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç mbrëmë ka deklaruar se dëshiron një zgjidhje për Kosovën por një gjë e tillë ende nuk është arritur dhe vështirë se do të arrihet sidomos pas rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Kosovës, dhe që dialogu i mëtejshëm kushtëzohet me njohjen e ndërsjellë të pavarësisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Unë dua një zgjidhje me gjithë zemër dhe forcë, por nuk kemi dhe nuk është as afër, nuk flasim, nuk jemi askundi”, ka thënë Vuçiç për televizionin “Prva”, duke shtuar se kompromisi është i vetmi shpëtim për Serbinë.

Ai tha se në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, do të luftojë për popullin serb.

Vuçiç ka shtuar se në rast të një sulmi do të mbrojnë serbët në Kosovë, por nuk dëshiroi të thotë se si, por se njerëzit shumë mirë e kuptojnë se për çfarë e ka fjalën.

“Në rast se sulmohet popullata serbe, ne do ta mbrojmë. Nuk dua të përgjigjem në pyetjet se si, as të flas për detajet teknike, qëllimi është mbrojtja”, tha Vuçiç, duke shtuar se ka marrë një vendim për të mbrojtur serbët nga “persekutimet, dëbimet dhe vrasjet”.

Vuçiç ka thënë se zgjedhjet e parakohshme në Serbi nuk varen vetëm nga ai, por nga situata në vend, kryesisht në Kosovë dhe se ai me kënaqësi do të shkojë në zgjedhje.

Ai shtoi se është gjithmonë i gatshëm për të shkuar në zgjedhje, por që nuk do të gjunjëzohet nga “presioni i rrugës” dhe se popullit i ofron zgjidhje.

Kujtojmë se mbrëmë Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën për dialogun me Serbinë, e propozuar nga Partia Socialdemokrate (PSD).

Në rezolutë thuhet se “për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politik, procesi i dialogut do të jetë i pranishëm vetëm nëse përfundimi i tij do të rezultojë në njohje të ndërsjellë të shtetësisë nga palët e përfshira në proces, anëtarësim të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), verifikimin për përshpejtimin e proceseve integruese të Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian dhe në NATO”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu