Vuçiç: Në janar, ndërkombëtarët në Beograd për marrëveshjen me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se pret që në gjysmën e parë të muajit janar në Beograd të vijnë përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët do të insistojnë në nevojën që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

“Unë pres që burra të mëdhenj dhe gra të mëdha nga bota të vijnë tek unë dhe të më thonë se duhet të arrijmë një marrëveshje. Ne po përballemi me një kohë të vështirë për Kosovën dhe Metohinë, por do të luftojmë”, tha ai.

Vuçiç tha se për të është e rëndësishme të përmbushen garancitë e bashkësisë ndërkombëtare, në bazë të të cilave serbët në veri të Kosovës i hoqën barrikadat nga pikat kufitare drejt Serbisë.

“Situata është shumë më e rrezikshme dhe më e vështirë se sa mendoni”, tha Vuçiç pasi serbët lokalë mbajtën të bllokuara rrugët në veri të Kosovës për 20 ditë.

Ai ka deklaruar se i frikësohet “papërgjegjshmërisë” së disa përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe “arrogancës” së autoriteteve të Prishtinës.

Vuçiç i ofroi Nedeljkoviçit punë në Zyrën për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, priti në një takim Nikola Nedeljkoviçin nga Beogradi, i cili u lirua më 28 dhjetor, pasi kishte kaluar gjashtë muaj burgim në Prishtinë.

Nedeljkoviç u dënua me tetë muaj burgim për nxitje të urrejtjes etnike. Gjykata e Apelit në Prishtinë më pas ia uli dënimin në gjashtë muaj.

Nedeljkoviç u arrestua më 28 qershor derisa serbë nga anë të ndryshme të Kosovës dhe Serbisë po festonin atë që njihet si Beteja e Kosovës në Gazimestan, afër Obiliqit.

Tre oficerë të Policisë së Kosovës, duke vepruar si dëshmitarë, akuzuan Nedeljkoviçin se kishte bërtitur “Vriteni Shqiptarin”, gjatë ngjarjes.

Vuçiq ka deklaruar se Nedeljkoviç vetëm ka bërtitur “Serbia” dhe ka bërë një fotografi me një flamur, ku shkruhej “Nuk ka dorëzim”.

Nedeljkoviç tha se nuk urren askënd, por se e do dhe e respekton vetëm vendin e tij.

Ai pranoi ofertën e Presidentit të Serbisë për t’u angazhuar në punë humanitare në kuadër të Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën.

“Do të isha më i lumtur nëse do të mund të ndihmoja njerëzit tanë në Kosovë dhe të bëja punë humanitare”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Nedeljkoviç do të trajtohet si person cili nuk ka kryer ndonjë vepër penale në Serbi./REL


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu