Vucic thumbon: Kurti tha i ka 130 milionë për ushtri, pa gajle ne i kemi 1.5 miliardë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, vazhdoi në mbrëmjen e të premtes me provokime ndaj Kosovës, duke i vënë në thumb të gjitha autoritetet qeverisëse, nga kryeministri Kurti të cilin e quajti aq të përvuajtur sa nuk mundet as ta fyej më.

Vucic zaptoi programin e televizionit të tij të preferuar serb, TV Prva, të premten mbrëma dhe siç premtoi dje në konferencë për shtyp, ai dhuroi show popullist, siç bën rëndom.

Ai kritikoi të gjithë rend mund të thuhet, shtetet e rajonit, bashkësinë hipokrite ndërkombëtare – duke u kujdesur që KFOR ta lavdërojë posaçërisht por pa e theksuar NATO-n -, ndërsa për kosovarët rezervoi arsenalin e retorikës populliste, përqeshjen dhe kërcënimin.

Ai njoftoi lajmet e mira që i kishte paralajmëruar dje në këtë gjoja intervistë, më shumë një monolog. Së pari ua kujtoi serbëve lajmin e të rritjes së pensioneve deri në 19.3 % që nga tetori i këtij viti.

Pastaj u kumtoi risinë tjetër, gjithë Ushtrisë së Serbisë do të iu rritet paga mujore deri në 25 përqind. Një shtesë e konsiderueshme kjo u krenua ai, megjithëse shtoi me një brengosje të shtirur se po iu mungojnë njerëz pasi pajisjet i kanë shumë të mira. Kanë mungesë në brigadën e parë dhe të dytë shtoi ai.

Ai njoftoi se ka synim që shërbimin ushtarak në Serbi të jetë i detyrueshëm për qytetarët serbë, përveç ushtrisë profesionale. U kujdes ta shtojë se nuk brengoset fare se çfarë mendojnë në rajon për përforcimin e ushtrisë serbe, pasi kishte përgatitur batutën për kryeministrin Kurti dhe liderët tjerë ballkanik.

“A iu kam borxh atyre t’iu raportoj, apo popullit tonë? Çfarë doni, që ne të jemi thes boksi e të na godasin, përkundër heroizmit të ushtarëve dhe oficerëve tanë, sikur të nëntëdhjetave. E ata që po armatosen që të gjithë. Që po veçojnë nga 20 përqind të municioneve të tyre nëpër depo. E pse po blini helikopterë nga SHBA dhe kundërajror nga Gjermania pra. Kë doni të sulmoni, Austrinë apo Slloveninë? Kurti tha se do të ketë 130 milionë buxhet për ushtri. S’ka problem, ne do të kemi një miliardë e gjysmë” tha Vucic i nxehur fort.

Presidenti serb Vucic që ende nuk ka caktuar mandatarin për kryeministër që nga prilli i zgjedhjeve foli për punën e ardhshme të qeverisë së re serbe me theks të veçantë në ushtri, shëndetësi, industrializim dhe energjetikë.

Vucic i hyri kritikave me emra duke sharë disa e lëvduar një, Dritan Abazovic, kryeministrin malazez që e nënshkroi Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse të Serbisë. Kjo pasi u pyet rreth deklaratës së presidentit malazias Milo Djukanovic që ka folur “për mësimet që serbët i mësuan në Kroaci”.

Të gjithë ata do të donin që në territoret e tyre të ketë sa më pak serbë. Në Prishtinë thonë se nuk duan një Republka Srpska tjetër. Doni të ndaheni por nuk doni një Republika Srpska. Ashtu në Mal të Zi, ku një përqindje e madhe janë serbë. I lumtë Abazovic që nënshkroi Marrëveshjen Themelore. Po edhe dua të iu shpreh ngushëllimet e mia, të gjithë qytetarëve malazias, posaçërisht familjeve të viktimave. I ngushëlloj edhe presidentin Djukanovic dhe kryeministrin Dritan Abazovic” tha ai.

Presidenti serb Vucic sic pritej komentoi edhe takimin e shumë diskutuar me kryeministrin Kurti në Bruksel, me 18 gusht. Duke shtuar se nuk është aspak optimist, siç e tha edhe dje. Pastaj i nisi talljet e ngacmimet me kërcënimin e nënkuptuar, të mbuluar me viktimizim.

“Po shkoj me vullnet të mirë të bisedoj dhe t’iu tregoj për të gjitha rreziqet me të cilat po përballemi. Si me targat, ku i kanë trilluar të gjitha. I kemi pranuar ne edhe dokumente, por me një deklaratë të caktuar. Por ata duan që t’i ndalojnë targat serb KM. Kjo është synimi i tyre i vetë, Kur mos të ketë më targa KM, kjo do të jetë edhe një dëshmi se Serbia më nuk gjallëron në Kosovë. E për këtë s’kanë asnjë të drejtë. Si dhe atë të kërkoni deklaratë, letër, nga ata që jetojnë në Kosovë. E serbëve që jetojnë në Kosovë e Metohi të iu lëshoni disa letra aty sa herë kalojnë vijën, e kjo nuk pranohet” u shfry ai.

Sa i përket NATO-s, Vucic tha se qenka sjellë me përgjegjësi, duke theksuar deri tani ama. Më pastaj vazhdoi me pretendimet e tija se shqiptarët duan të përzënë serbët tërësisht nga Kosova.

“Ata janë të tronditur tani se nga po i di unë që i kanë dislokuar forcat në Gjilan. Ka dy ditë që po kryejnë hetime. Unë nuk e kam shpikur atë se duan të eliminojnë njerëzit tanë. Kjo është thënë në një takim të mbyllur, e ata tani nuk e dinë se kush e rrodhi këtë. E pastaj detyra e gjithë mediave është, melodrama e Vucic. Ata kishin gjetur një plan tonin të para dy viteve, që do të ishte hapi ynë nëse niste pogromi. Edhe ne kemi folur për këtë. Si fëmijë të vegjël po sillen, janë vonuar për dy vite, dhe habiten si po i dijmë ne të gjitha” vazhdoi me të veten Vucic.

Vucic më tej pretendoi se e dinë të gjithë këtë komplot të qeverisë kosovare, se kë paska në listë për ta eliminuar “Prishtina dhe sa janë. Gjashtë persona qenka caku i autoriteteve të Kosovës, që janë shënjestruar si ‘liderët e rezistencës”- tha ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu