Vuçiç vendos të vijë në Tiranë: Pse ndërroi mendje?

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç konfirmoi sot se do të udhëtojë në Tiranë për samitin BE-Ballkani Perëndimor, sepse në të kundërtën do të pasonin “dëme të mëdha” për vendin, raporton agjencia Beta.

“Sigurisht që do të ketë disa përfitime nga shkuarja ime në Tiranë. Nëse nuk do të shkoja, do të kishte dëme të mëdha për vendin tonë. Ndoshta do të tregoja se kotësia ime është gjithnjë e më e fortë nëse nuk do të shkoja, por do të ishte turp më i madh nëse nuk do të shkoja, në drejtim të tërheqjes së investimeve të huaja dhe gjëra të tjera”, tha Vuçiç.

“As i dehur dhe as i çmendur”

Ai shtoi se udhëtimin e kishte diskutuar me të gjithë bashkëpunëtorët e tij dhe kryeministren Ana Brnabiç dhe tha se ky vendim nuk ishte çështje kotësie apo emocionesh, por vlerësim nëse do të kishte ndonjë dobi apo dëm për Serbinë.

“Ndonjëherë emocionet pushtojnë një person dhe nuk dini si të reagoni kur dikush vazhdon të krijojë kriza për muaj të tërë. Të ndodh, je njeri i gjallë, të reagoni emocionalisht. Në të njëjtën kohë, gjithçka që thashë është e vërtetë. Sepse nuk jam, edhe pse shumëve u duket, as budalla, as i dehur, as i çmendur, as krejtësisht budalla”, tha Vuçiç.

Ai tha se në Tiranë “do të ketë shumë të mira për qytetarët” sa i përket roamingut, ndihmës buxhetore të Bashkimit Europian prej 165 milionë euro për energjinë e të tjera, por sa e vështirë do ta ketë nëse duhet të dëgjojë sërish “përrallën e dy palëve” për çështjen e Kosovës.

Vuçiç ka thënë se nuk pret që presioni ndaj Kosovës të zbutet dhe për këtë është e rëndësishme që të jetë në Tiranë.

“Ne po përballemi me një kohë të vështirë dhe kushdo që mendon se dikush do të na lërë të qetë në lidhje me Kosovën dhe Metohinë, nuk do ta bëjë. As ai në Prishtinë që rri ulur dhe mendon ndonjë çmenduri të re për të dëmtuar Serbinë, as këta të tjerët. Dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme për mua të jem atje. Dhe a do të ndryshojë mendje – nuk do ta ndryshojë, fuqitë e mëdha nuk i ndryshojnë aq lehtë qëndrimet e tyre. Dhe ata do të kërkojnë që Kosova të anëtarësohet në OKB ose t’i njohim ata”, tha Vuçiç.

Kështu, presidenti serb duket se është bindur nga paralajmërimi i kryeministrit Rama, se nëse nuk vjen në Tiranë, pasojat për të do jenë të rënda.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu