Vuçiq dhe Kurti sot kanë takime të ndara me Stoltenberg

Sot, në takime të veçanta në Bruksel, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të bisedojnë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, një ditë para raundit të ri të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, transmeton InfoShqip.

Stoltenberg fillimisht do të takohet me Vuçiqin, e më pas me Kurtin dhe pas bisedimeve të ndara janë paralajmëruar konferenca për media për Stoltenberg dhe Vuçiq në ora 15:30, ndërsa Stoltenberg dhe Kurti në orën 17:00.

Vuçiq tha javën e kaluar se do të bisedojë me Stoltenberg për shkak të rolit që NATO dhe KFOR-i kanë në Kosovë, kujton Beta.

Këto do të jenë bisedime të mëtejshme për të vendosur bashkëpunim të mirë, komunikim të mirë, që është shumë i rëndësishëm në kohë krize. Shpresoj që të kemi një bisedë të mirë. Tashmë kemi pasur një bisedë telefonike dhe kemi rënë dakord që të ulemi dhe të diskutojmë të gjitha problemet në Kosovë, veçanërisht në veri“, tha Vuçiq.

Për nesër është paralajmëruar raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi dhe BE-ja ka njoftuar se do të diskutohen të gjitha çështjet e hapura, duke përsëritur se për Brukselin “më e rëndësishme është që të dyja palët të ndalojnë armiqësitë, me mesazhe nxitëse dhe tensione dhe veproni me përgjegjësi”.

Në prag të dialogut, Vuçiq tha se është vendimtare që të merret një vendim për zbatimin e marrëveshjes për Bashkësinë e Komunave Serbe të Kosovës.

Kurti, megjithatë, thotë se biseda duhet të fokusohet në njohjen reciproke dhe tha se nuk dëshiron të diskutojë mosmarrëveshjen për targat dhe kartat e identitetit për serbët në Kosovë./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu