Vuçiq “i frikësohet” delegacionit kosovar në Munih: Janë një ekip i jashtëzakonshëm

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Prishtina ka sjellë gjithkënd që ka mundur në Konferencën e Sigurisë në Munih.

Sipas mediumit serb “b92”, ai u ka thënë gazetarëve serbë, gjatë një pauze të takimeve në margjinat e konferencës së sigurisë në Munih, se e ka takuar shkurt Enver Hoxhajn, por se aty janë edhe Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj.

“Ata janë duke bërë një punë serioze, kanë këtu në Munih një konsull të jashtëzakonshëm, kanë sjellë të gjithë ata që kanë mundur, por dhe Hoxhajn, për shkak se e flet në mënyrë të përsosur gjuhën gjermane. Kjo nuk është për t’u nënvlerësuar… Ata thonë atë çfarë evropianët duan të dëgjojnë”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb ka shtuar se sonte deri në orët e vona ka për të punuar në atë që është më e mira për të marrë nga Serbia në panelin e nesërm, në të cilin marrin pjesë bashkë me Hashim Thaçin.

“Ne do të themi, natyrisht, të vërtetën, por ne do të zgjedhim taktikat më të mira për Serbinë”, tha ai.

Ndryshe, gjatë qëndrimit në Munih, kryeministri Ramush Haradinaj është takuar edhe me Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn.

Këtë e ka bërë të ditur vetë kryeministri Haradinaj, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

“Kosova është e përkushtuar që të jetë partnere kredibile e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, gjithmonë, kur asaj nuk i mohohet e drejta për të vepruar si shtet i pavarur dhe sovran. Këtë ia thashë Komisionerit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn me të cilin pata rastin të diskutoj, së bashku me Zëvendëskryeministrin Pacolli, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës gjatë takimit me Hahn, ka thënë se tarifat duhet të hiqen, por si kusht është njohja reciproke.

Haradinaj edhe një herë ka kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në Mynih po qëndron gjithashtu edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërsa duke folur rreth platformës së dialogut të hartuar nga Prishtina, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se “Platforma shqiptare është kundër dialogut”.

“Ata thonë se – çdo gjë duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e tyre, që duhet të ruhet, siç thonë ata, integriteti territorial dhe sovraniteti”, ka thënë ndër tjerash Vuçiq.

Vuçiq i është referuar platformës së hartuar nga ekipi negociator i Kosovës, e cila përcakton parimet dhe qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut.

Siç është bërë e ditur gjatë ditës, përmes saj synohet arritja e konsensusit sa më të gjerë politik dhe shoqëror në procesin e dialogut me Serbinë.

Veç kësaj, në këtë draft-dokument thuhet se qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme.

Më tej, ndër tjerash thuhet se Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet të jetë e qartë dhe pa dykuptimësi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu