Vuçiq i sëmurë përqafon dhe puth qytetarët gjatë fushatës, mjekët paralajmërojnë për rrezikun

Aleksandar Vuçiq, bartës i listës “Serbia e Bashkuar”, është shfaqur të hënën në aktivitetet e fushatës parazgjedhore me simptoma të dukshme të ftohjes.
Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë nga fushata, të transmetuar nga TV Informer, Vuçiq ka thënë se nuk ishte në gjendje të mirë dhe kishte menduar t’i anulonte aktivitetet, por se duhej të vazhdonte.

Gazeta serbe “Danas” shkruan se Vuçiq, megjithëse i ngjirur dhe me simptoma të ftohjes, ka vazhduar të takohet nga afër me qytetarët, t’i përqafojë dhe puthë ata, përfshirë edhe fëmijë, transmeton KosovaPress.

Veprimet e tij kanë nxitur kritika në rrjetet sociale, ndërsa mjekë të intervistuar nga “Danas” kanë paralajmëruar për rrezikun e transmetimit të infeksioneve respiratore përmes kontakteve të afërta.

Vuçiq, gjatë vizitës te një familje në Vrbas, ka treguar se po përdorte barna dhe se kishte menduar t’i anulonte aktivitetet e ditës.

“Nuk mund të flas, po mundohem shumë. Po marr ilaçe që të më shërojnë brenda natës… Nuk jam në kurrfarë gjendjeje dhe kam menduar t’i anuloj të gjitha sot, por nuk bën, duhet të vazhdoj”, ka thënë ai.

Ai ka refuzuar të konsumojë raki që i ishte ofruar, ndërsa në të njëjtën kohë ka përqafuar nipin e familjes që ndodhej pranë tij.

I pyetur sesi po arrinte ta vazhdonte fushatën, Vuçiq ka thënë se ishte çështje energjie, dëshire dhe entuziazmi.

Vuçiq ka përmendur edhe angazhimin e ministrave në terren, duke thënë se aktivitetet politike kërkojnë shumë orë punë.

Një ditë më herët, në Baçka Pallankë, Vuçiq kishte ndërprerë fjalimin pasi një gruaje të moshuar në publik i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Sipas pamjeve të publikuara edhe në profilin e tij në Instagram, Vuçiq ka zbritur nga skena dhe i është afruar gruas derisa ajo ndodhej në barelën e ekipit të emergjencës. Ai e ka përqafuar dhe puthur atë.

Duke komentuar këto veprime, pulmonologia në pension dhe kandidatja e Listës Studentore, Slavica Plavshiq, ka thënë për “Danas” se një person me simptoma të qarta të një infeksioni respirator mund të paraqesë rrezik për transmetimin e infeksionit nëse vazhdon kontaktet e afërta me njerëzit.

Sipas saj, kjo vlen pavarësisht nëse bëhet fjalë për ftohje të zakonshme, grip apo ndonjë virus tjetër.

Ajo ka kritikuar faktin që një politikan vazhdon kontaktet fizike me shumë qytetarë gjatë fushatës, pavarësisht simptomave.

“Unë nuk e di nga çfarë vuan aktualisht qytetari Aleksandar Vuçiq, por nëse vetë thotë se nuk është në kurrfarë gjendjeje dhe se është nën ilaçe, atëherë si mjeke duhet të pyes: pse një njeri i tillë shkon shtëpi më shtëpi, përqafon dhe puth njerëzit, u afrohet fëmijëve të vegjël dhe të moshuarve?”, ka deklaruar Plavshiq.

Ajo ka theksuar se fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike mund të jenë më të cenueshëm ndaj komplikimeve nga infeksionet.

Plavshiq ka kritikuar gjithashtu afrimin e personave që nuk janë pjesë e ekipit mjekësor te pacientët gjatë intervenimeve emergjente, duke theksuar rëndësinë e privatësisë dhe dinjitetit të pacientit.

Edhe epidemiologu dhe profesori në pension i Fakultetit të Mjekësisë në Beograd, Zoran Radovanoviq, ka thënë për “Danas” se personat që teshtijnë, kolliten, kanë zë të ngjirur dhe simptoma të tjera duhet të shmangin kontaktet e afërta.

Sipas tij, alternativë është përdorimi i maskës dhe paralajmërimi i personave të tjerë që të mbajnë distancë.

Në artikullin e “Danas” përmenden edhe raste të mëhershme kur Vuçiq ishte kritikuar për hyrje apo kontakte me pacientë në institucione shëndetësore.

Plavshiq ka theksuar se infeksionet respiratore virale mund të transmetohen përmes kontaktit të afërt dhe qëndrimit në distancë të vogël, ndërsa barnat që lehtësojnë simptomat nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht eliminimin e rrezikut të transmetimit të virusit.

“Danas” bëri të ditur se kishte kërkuar qëndrim edhe nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik “Dr Milan Jovanoviq Batut”, Verica Jovanoviq, por deri në publikimin e artikullit nuk kishte marrë përgjigje.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu