Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka thënë se gjatë konferencës në “Globsec”, në Bratisllavë, do të takohet me zëvendëssekretarin e Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Ryker, dhe me zyrtarë të tjerë amerikanë, të cilëve do t’u kërkojë ndihmë që Kosova të heqë taksën 100 për qind.
Megjithatë, Vuçiq ka shpjeguar se nuk do të takohet fare me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po ashtu do të marrë pjesë në konferencën “Globsec”, shkruan RTS, transmeton Gazeta Express.
Presidenti serb thotë se janë të gatshëm gjithmonë për dialog dhe kompromis për zgjidhjen e problemit të Kosovës.
“Si të bisedojmë për zgjidhjen e problemit, kur dëgjon se ata dëshirojnë të krijojnë “Shqipërinë e Madhe’, nuk dëshirojnë të krijojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe edhe pse e kanë nënshkruar. Ndërkohë edhe reagimi i Bashkimit Evropian ka qenë shumë i butë’, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se është i zemëruar me BE-në, për faktin se kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet dhe nuk po implementohen marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Çfarëdo që ata thonë, prapëseprapë janë në anën e Prishtinës”, ka thënë Vuçiq.










