Vuçiq thotë se situata rreth vizitës së Lavrov më 7 qershor në Beograd po bëhet më e komplikuar

Vizita e planifikuar e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Beograd e paralajmëruar për 7 qershor nga mediat po bëhet e komplikuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për mënyrën se si do të arrijë, ka thënë të enjten presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Siç shkruan Euractiv, përcjell Telegrafi, i pyetur nga mediat serbe në Bratislavë në lidhje me vizitën e ardhshme të Lavrov, Vuçiq u përgjigj: “Po komplikohet, sigurisht, po bëhet e komplikuar. Nuk jam ende i përgatitur të flas për këtë, por – po, po bëhet e ndërlikuar… pyetja është se si do të arrijë… do të shohim”.

Ndërsa i pyetur për vizitën e kancelarit gjerman Olaf Scholz në Beograd të planifikuar për datën 10 qershor, Vuçiq tha se “do të ishte një tragjedi” nëse kjo nuk do të ndodhte.

“Imagjinoni që kancelari gjerman të planifikohet të vizitojë një vend dhe më pas të thotë se nuk dëshiron ose nuk mund ta vizitojë”, citohet të ketë thënë ai.

“Gjithmonë ka një mundësi, por shpresoj që nuk do të ndodhë. Do të shohim… fillimisht nëse vjen Lavrov dhe pastaj do të shohim… por ka edhe reagime nga vendet e tjera”.

Ndërkohë duke folur në forumin GLOBSEC 2022, Vuçiq ka thënë se Serbia po punonte me BE-në për diversifikimin e furnizimit me gaz dhe se tubacionet e gazit Trans-Adriatik (TAP) dhe Trans-Anatolian (TANAP) po konsideroheshin si burime. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu