Xhaferi kryeministër, Zendeli: Jo diçka historike për shqiptarët, i shërben vetëm Ahmetit për të mbuluar aferat

Deputeti i Lëvizjes Besa Fadil Zendeli tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se zgjedhja e Talat Xhaferit si kryeministër teknik në Maqedoninë e Veriut nuk përbën një ngjarje historike për shqiptarët. Ai thekson se Xhaferi do ketë vetëm mandat teknik dhe nuk do të marrë vendime politike. Ndër të tjera Zendeli shton se zgjedhja e Xhaferit nuk sjell kurrfarë përfitimi për shqiptarët, por ndihmon Ahmetin për të mbuluar aferat e tij korruptive.

“Qeveria teknike është trashëgimi i marrëveshjes së Përzhinos të vitit 2016, kur vendi ishte në një krizë të thellë politike, ku ishin të involvuar edhe faktori ndërkombëtar, që kjo krizë të tejkalohej. Kjo është qeveria e tretë teknike nga viti 2016. Është një obligim ligjor që në 100 ditët e fundit duhet të ketë një qeveri teknike që s’do të merret me aspektet politike, por thjesht do duhet të menaxhoj procesin zgjedhor. Është vetëm një trashëgimi ligjore që duhet të plotësohet. BDI ka premtuar në fushata elektorale që do fitojë kryeministër politik, jo kryeministër teknik. Nuk bëhet fjalë për diçka historike për shqiptarët, sepse sic e dini në Malin e Zi kemi pasur kryeministër shqiptarë, por shqiptarët s’kanë përfituar kurrgjë nga ajo, z.Xhaferi ka qenë për 7 vite kryeparlamentar, por shqiptarët s’kanë pasur ndonjë përfitim. Xhaferi ka qenë bllokuesi kryesor që opozita shqiptare ta marrë një vend në komisionin shtetëror zgjedhor. Z.Xhaferi e ka bllokuar që opozita shqiptare ta ketë përfaqësuesin e vet në komisionin shtetëror zgjedhor, një vend vakant që i takon opozitës. E kemi bojkotuar edhe ditën e sotme, për këtë arsye e kemi thënë që nuk bëhet fjalë për kurrgjë të veçantë. Kjo i shërben vetëm z.Ahmeti që të mbulojë aferat dhe skandalet, që janë të numërta nga BDI dhe veçanërisht nga familjarët e z.Ahmeti, u shërben grupeve dhe strukturave kriminale brenda BDI-së dhe qeverisë. Asnjë përfitim konkret për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Gjuha shqipe nuk është e zyrtarizuar, thjesht përkthehet në institucione, nuk zhvillohen procedura në gjuhën shqipe.

Ka pasur indicie që Ali Mehmeti mund të jenë në listat e zeza amerikane. Për momentin nuk ka diçka zyrtare, por duke marrë parasysh aferat që z.Ahmeti, familjarët e tij që janë të pasuruar skajshmërisht në afera të ndryshme, thjesht duke marrë parasysh që qëndron z.Ahmeti pas tyre…Bashkëpunimi me BDI mund të ndodhë vetëm për ndonjë situatë të jashtëzakonshme. Në këto 3 muaj të ardhshëm nuk parashikoj asgjë, për shkak se kjo është qeveri teknike, nuk ka mandat që të marrë vendime politike. Sondazhet më të reja e fuqizojnë shumë opozitën shqiptare. Te kampi maqedonas vërehet në të gjitha anketat që janë realizuar muajit e fundit, VMRO DPMNE është në favor ndaj LSDM-së”.” tha ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu