Xhelal Neziri: BDI kalëron mbi dy kuaj

Nëse do ishte ndonjë ligj më i rëndësishëm në historinë e Maqedonisë, ai ishte Ligji i djeshëm për Mbrojtjen e Dëshmitarëve ku në sallën e Kuvendit duhet të ishin të pranishëm jo vetëm Ali Ahmeti, por edhe Menduh Thaçi dhe të gjithë deputetët shqiptarë, që të votonin “PËR”. Kështu u shpreh analisti politik Xhelal Neziri në emisionin “Arena” në TV Shenja, i cili shtoi se në Maqedoni mungon drejtësia.

“Ky mosfunksionim i drejtësisë, krijon, gjeneron konflikte dhe përplasje të vazhdueshme në shoqëri”, tha Neziri.

 Ai shtoi se akti i djeshëm i deputetëve shqiptarë ka shokuar gjithë shqiptarët.

“Unë kam menduar se ata do të jenë aty dhe do të bëjnë ç’mos që ai ligj të kalojë, por ja që refuzuan të marrin pjesë. Ajo që BDI-ja ka një qëndrim konfuz, mendoj se është një strategji e cila po zbatohet vite me radhë nga ana e BDI-së. Gjatë tërë kohës që është në skenën politikë, kjo parti kalëron në dy kuaj që lëvizin në drejtime të ndryshme. Edhe është me VMRO-në edhe është me ndërkombëtarët”, deklaroi Neziri.

Kjo është strategji e qëllimshme e BDI-së, sipas Nezirit, që kjo parti të mund të arsyetojë dështimet e veta në skenën politike.

Neziri vlerëson se komuniteti ndërkombëtar duhet t’u bëjë presion BDI-së dhe PDSH-së, që të votojnë për ndryshimin e Ligjit për dëshimtarët e mbrojtur. /Shenja


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu