Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka kritikuar ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovë, Albulena Haxhiu, për zvarritjen e thirrjes së seancës konstituive. Sipas saj, kjo zvarritje i shkon përshtati LVV-së, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje sa më afër dhjetorit, kur mërgata ndodhet në Kosovë. Në një intervistë për RTV21, deputetja Ymeri ka demantuar raportimet se LDK-ja është afër një marrëveshjeje me LVV-në.
“Kjo zvarritje i është përshtatur LVV-së për t’i shtyrë potencialisht, nëse s’ka asnjë pajtim për presidentin, zgjedhjet e reja sa më afër dhjetorit dhe sa më afër ardhjes së mërgatës. Por edhe për ta zgjatur kohën e qeverisë në detyrë, pa transparencë dhe pa llogaridhënie. Nuk ka pasur as marrëveshje, as marrëveshje në parim, as ndonjë pajtim për votim. Gjithçka kanë qenë tituj medialë, fjalë në studio të analistëve, por asgjë zyrtare, as brenda Grupit Parlamentar e as në komunikim me kryetarin Abdixhiku.” u shpreh Ymeri.
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, kundërshtoi edhe deklaratat e zyrtarëve të LVV-së se gjëja janë të shqetësuar për zhvillimet brenda LDK-së sa i përket kërkesës për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku. Sipas saj, LVV-ja po krijon një narrativë të rreme, sepse, siç thotë ajo, Albin Kurti ka qenë gjithmonë kundër rugovizmit.
“Albin Kurti dhe LVV-ja kanë qenë kundër rugovizmit, por pse tash e krijojnë këtë narrativë, e ushqejnë dhe e shpërndajnë, është për të treguar se LDK-ja është në dorën e dikujt tjetër. Por e vërteta është se LDK-ja do ta rigjejë veten dhe të mos anojë nga asnjë parti tjetër, e aq më pak të hyjë në një koalicion kur jemi para Kuvendit Zgjedhor të LDK-së. LVV-së nuk i duhet LDK-ja për Qeverinë, i ka numrat, por nuk po e formon Qeverinë. Pra, nuk është se ne po e zvarrisim apo po e bllokojmë procesin; LVV-ja po e bllokon vetveten, sepse nuk po dëshiron të dalë nga statusi i ushtruesit të detyrës së Qeverisë dhe të presidentes dhe, në çdo rast, po dëshiron t’i shtyjë zgjedhjet sa më afër ardhjes së mërgatës. Kurti nuk dëshiron të qeverisë me të drejta të plota, sepse nuk dëshiron t’u hyjë proceseve, siç është edhe Asociacioni. Është e vështirë për dikë që e ka sharë ditë e natë dhe tani pritet ta nënshkruajë Zajednicën, siç e ka quajtur vetë Kurti.”
Deputetja Ymeri vlerëson se deklaratat e zyrtarëve të LVV-së për një koalicion me LDK-në janë vetëm në formë dëshire. Ndërkaq, ajo përjashton mundësinë që presioni të çojë drejt një marrëveshjeje.
“LVV-ja mund të tentojë të bëjë presion ndaj LDK-së, por nuk ia del, siç nuk ia ka dalë as në vitin 2025. Gjithçka që mendohet nga LVV-ja është në formë dëshire. Po të kishte marrëveshje në parim, kjo do të kuptohej edhe brenda Grupit Parlamentar.”, shtoi Ymeri për rtv21.
Ndërsa, sa i përket kandidatit për president, deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, tha se nuk do ta votojnë asnjë kandidat të LVV-së. Ajo bëri të ditur se Vjosa Osmani nuk do të bëhej pengesë për zhbllokimin e procesit.
“Kandidati për president që vjen nga LVV-ja është provuar, ai skenar nuk votohet nga LDK-ja. Nëse imponohet vetëm ajo që dëshiron LVV-ja, dihet edhe rezultati. Nuk besoj se kësaj radhe njerëzit do të shkojnë drejt zgjedhjeve të reja pa pasur protesta, sepse tensioni është gjithmonë në rritje dhe unë nuk jam kundër tyre. Vjosa Osmani e ka thënë edhe më herët se nuk do të bëhet shkak për bllokimin e institucioneve dhe se nuk do të jetë patjetër ‘ose unë, ose shkojmë në zgjedhje’. Ky nuk është problemi. Problemi është te LVV-ja. Nuk mund të kërkojë zgjidhje te partitë e tjera duke thënë se ‘këta nuk po duan’. Matematika është shumë e thjeshtë: i ka numrat dhe mund ta zgjedhë Qeverinë, pavarësisht presidentit.”, tha Ymeri.










