Zaev: I dëgjova bisedat, masat e kujdesit janë ndërmarrë

Fëmijët e mi dhe familja ime janë të shenjta siç janë të shenjtë familja dhe fëmijët për secilin qytetar dhe nuk do të lejoj që të më mungoj asnjë qime në kokë siç nuk do të lejoj të mungoj ndonjë qime në kokën e secilit qytetar. Jam i obliguar së pari si prind, pastaj si kryetar i Qeverisë t’i ndërmarrë të gjitha masat e kujdesit, theksoi sot kryeministri Zoran Zaev, transmeton gazeta KOHA.

“I dëgjova kërcënimet. Gjithsesi nuk besoj se diçka do të realizohet. Personalisht nuk besoj në organizim të kërcënimeve të tilla. Sipas gjitha gjasave mund të ndodhin kërcënime të tilla nën ndikimin e alkoolit, nën ndikimin e nuk e di çfarë motivimesh në çfarëdo lloj ambienti. Nuk kam shumë kohë që të mendoj rreth tyre, por e shoh që nëna ime, bashkëshortja e ime dhe fëmijët e mi mendojnë. Normal masat e kujdesit janë ndërmarrë”, tha Zaevi në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve pas prezantimit të sotëm të iniciativës së Odës Ekonomike Maqedoni e Veriut-Bullgari dhe Bullgari -Maqedoni e Veriut për lidhje të re interkoneksionit të gazit mes të dyja vendeve me ndërtimin e gazsjellësit mes Strumicës dhe Petriçit.

Ai potencoi se për atë është shumë më e rëndësishme e vërteta dhe shtoi se procesi gjyqësor duhet të përfundojë me zgjidhje, që t’i konfirmojë të gjitha të vërtetat dhe ta ofrojë kërcënimin për secilin që ka gabuar dhe e ka shkelur ligjin sepse, siç tha, syri i hapur i opinionit është seriozisht i drejtuar në këtë rast dhe pret zgjidhjen e tij.

“Vetë procesi gjyqësor duhet të përfundojë me zgjidhje, që t’i konfirmojë të gjitha të vërtetat dhe ta ofrojë dënimin për secilin që ka gabuar dhe e ka shkelur ligjin. E vërteta del kështu ose ashtu. Të vërtetën më të madhe qytetarët e presin pikërisht përmes procesit gjyqësor, të dihet saktë se çka ndodh, dëshmitë të cilat tregojnë dhe gjykata të sjellë gjykim për atë se ky është një nga rastet në të cilat qartë shënohet vendosmëria e pushtetit ekzekutiv që të kthehet shteti ligjor”, theksoi Zaevi.

Ky, shtoi, është rast serioz që mund të sjellë dëme politike ndaj subjekteve të caktuara politike dhe ndaj pushtetit ekzekutiv.

“Por, pushteti ekzekutiv është ai që siguroi pavarësi dhe barrë të plotë të gjyqësorit. Prokuroria dhe gjyqësori të hetojnë dhe të grumbullojnë dëshmi dhe të gjykojnë. Kjo është porosi serioze edhe deri te BE-ja se punët në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë ndryshuar. Ligji vlen njëjtë për të gjithë pa dallim se a është prokuror, a është pronar i ndonjë medie, a është ndonjë biznesmen ose ngjashëm dhe kështu duhet të mbetet. Ky është vetëm fillimi. Unë besoj se në të ardhmen do të ketë raste konkrete serioze përmes të cilave gjyqësori do ta kthejë besimin e tij para qytetarëve”, potencoi Zaevi.

Në “Jutjub” sot ishin publikuar nëntë “bomba” të reja në të cilat dëgjohet se si një person kërcënon me jetët e fëmijëve të kryeministrit Zaev. Kërcënimet vijnë nga një person për të cilin supozohet se është biznesmeni Orce Kamçev.(koha.mk)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu