Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, filloi konferenca e parë vjetore e organizuar nga Ministria e Financave, me titull “Rimëkëmbje dhe rritje ekonomike pas COVID-it”.
Në këtë konferencë marrin pjesë një delegacion i gjerë qeveritar nga vendi, i udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev, ministra të vendeve të rajonit, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare financiare, ekspertë dhe përfaqësues diplomatik.
Nikoqiri i ngjarjes, ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Besimi, në hapjen e konferencës theksoi se mes tjerash, konferenca ka për qëllim të mbledhë në një vend zbatuesit e politikave për të diskutuar planet buxhetore, me qëllim të rimëkëmbjes dhe rritjes ekonomike pas krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19).
“Sot jemi këtu, miq të dashur, për të thënë se nuk do të mposhtemi nga COVID. Ne jemi pjesë e aleancës globale për të luftuar COVID-in. Sot jemi këtu që të flasim për rimëkëmbjen dhe jo vetëm për këtë. Jemi këtu që të flasim për më shumë se sa vetëm rimëkëmbjen, të flasim për rritjen, për rritjen e gjelbër, për rritjen e përshpejtuar, për rritjen gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”, tha Besimi.
“Gjysmë vjetorin e parë të vitit arritëm rritje të Bruto Prodhimit Vendor”
Në hapjen e konferencës, fjalim hyrës kishte edhe kryeministri Zaev, i cili tha se sipas të dhënave zyrtare statistikore, “kriza edhe zyrtarisht po kalon dhe ekonomia po shërohet“, që sipas tij, vërteton analizat qeveritare se “ekonomia është stabile dhe do të rritet“.
“Zyrtarisht, para disa minutash është publikuar nga Enti i Statistikës, në tremujorin e dytë të vitit, sipas statistikës, është regjistruar rritje pozitive të Bruto Prodhimit Vendor në vlerë prej 13,1 për qind. Kjo nënkupton se gjysmë vjetorin e parë të vitit arritëm rritje të Bruto Prodhimit Vendor në vlerë prej 5,6 për qind“, tha Zaev.
Gjatë konferencës, e cila do të zhvillohet sot dhe nesër, janë paraparë të mbahen 6 panele diskutimi në të cilat përfaqësues qeveritarë dhe ekspertë, përmes pranisë fizike dhe video-lidhjeve, do të diskutojnë tema në sferën e ekonomisë dhe financave.









