Miratimi i ligjit për gjuhët avancon përdorimin e gjuhëve të të gjitha bashkësive në Maqedoni, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev në një konferencë për mediat në Ohër, në të cilën bashkë me zëvendës kryeministrin për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë, Hazbi Lika dhanë sqarimet për ligjin të cilin mbrëmë e miratoi qeveria, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Të gjitha dispozitat e ligjit janë në përputhje me Nenin 5 të Kushtetutës, ndërsa pakoja e zgjidhjeve ligjore do të dërgohet në Parlament për votim. Pasi të kalojë, ligji do të dërgohet për shqyrtim në Komisionin e Venecias, bashkë me çështjet e propozuara që nuk janë pjesë e këtij ligji”, tha Zaev.
Sipas tij, zgjidhjet ligjore të ofruara mbyllin disa nga çështjet të cilat janë në interes të qytetarëve.
“Ligji do të zgjerojë përdorimin e gjuhës zyrtare të cilën e flasin së paku 20 për qind e popullatës, që do të thotë se ligji zgjeron përdorimin e gjuhëve në institucionet dhe do t’u mundësojë qytetarëve të komunikojnë me institucionet shtetërore në gjuhën e tyre amtare”, tha Zaev, për të shtuar se Qeveria është e angazhuar që të gjithë qytetarëve t’ua lehtësojë funksionimin në jetën e përditshme dhe në komunikimet me institucionet.
“Këtë ligj e premtuam si pjesë të konceptit tonë, ‘Një shoqëri për të gjithë qytetarët’, i cili ka gjetur përkrahjen e qytetarëve dhe me këtë ne dëshmuam se nuk kemi çka të fshehim, qeveria dëshmon se kujdeset për të gjithë qytetarët”, tha më tej Zaev.
Sipas kryeministrit, përdorimi i gjuhëve do të varet nga ligji, dhe jo nga personi i cili kryeson me një institucion.
“Nëse një qytetar ka të drejtë të flasë gjuhën amtare, me këtë nuk humbasin qytetarët tjerë ndërsa përfiton Republika e Maqedonisë si shtet civil dhe demokratik”, tha ai.
Zv/kryeministri Lika, nga ana e tij tha se miratimi i ligjit, dëshmon për përkushtimin e qeverisë të lëviz gjërat përpara.
“Javën e kaluar, qeveria arriti një marrëveshje të rëndësishme për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Së bashku me vendimin e djeshëm dëshmon gatishmërinë e saj për të çuar proceset në drejtimin e dëshiruar”, tha Lika.
Sa i përket dygjuhësisë në kartmonedha dhe në amblemat e ushtrisë, Zaev tha se kjo nuk është pjesë e ligjit, por nëse Komisioni i Venecias thotë se i njëjti nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, ata nuk do të kanë asnjë paragjykim.