Zarfi i Vetëvendosjes arrin në LDK: Kjo është oferta

Lëvizja Vetëvendosje tanimë ka ndryshuar metodën e bisedimeve me partnerin e saj Lidhjen Demokratike të Kosovës, ajo sot ka dorëzuar zarfin e saj në selinë qendrore të LDK-së, ku brenda zarfit gjendet oferta e fundit për të arritur koalicionin mes vete

Gazeta Metro mëson se ky zarf është sjellë nga asistentja e VV-së, Marigona Berisha, aty është oferta e fundit dhe pritet të konfirmohet nga LDK-ja.

Brenda këtij zarfi është oferta e Albin Kurtit për ndarjen e pozitave me LDK-në për qeverinë, ku si propozim është rritja e numrit të ministrive nga 12 në 14. Kësisoj, LDK do të ketë gjashtë ministri, VV, pesë, derisa minoritetet tri ministri.

“Kryeministri, kryetari i Kuvendit, zv.kryeministri i 2-të, një nën-kryetar Kuvendi, 5 ministri do t’i takonin VV-së”, thuhet në propozim.

VV, në këtë propozim ka ofruar që LDK të ketë zv,kryeministri i 1-rë, nënkryetari i parë i Kuvendit, 6 ministri, dy zv.ministra më shumë se VV.

Po ashtu VV është pajtuar që LDK ta propozojë kandidatin për President i cili sipas VV’së plotëson të gjitha kushtet dhe te gjitha kriteret kushtetuese.

Në anën tjetër edhe LDK-ja ka propozuar ofertën e saj:

Në propozimin e LDK-së thuhet se LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri. Propozimet e LDK’së të dorëzuara sot me shkrim, janë si vijon:

1. LDK-ja do të ketë kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e presidentit, pastaj kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV’së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka kryeministrin, LDK-ja kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit), kurse LDK’ja një pozitë (presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).

2. Numri i ministrive mbetet 12 dhe struktura e tyre mbetet siç është dakorduar më herët, me këto përjashtime: a) Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. b) Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

3. Partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, për Presidentit të vendit do të përkrahin kandidatin e propozuar nga LDK-ja.

4. Si rezultat i kësaj marrëveshje: a. Deri në zgjedhjen e presidentit:

• VV do të ketë kryeministrin, nënkryetarin e parë të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq
• LDK do të ketë kryetarin e Kuvendit, nënkryetarin e dytë të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri. b. Pas zgjedhjes së presidentit, të propozuar nga LDK-ja: • VV do të ketë kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, nënkryetarin e parë të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq,
• LDK do të ketë presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si president vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe nënkryetarin e dytë të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.
5. Të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti në prezantimin e kësaj oferte, thotë se “Në këtë takim, dhe në të gjitha takimet e mbajtura deri më tani, LDK-ja ka shprehur gatishmërinë për qeverisje të përbashkët në interes të shtetit të Kosovës, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor 2019.

Megjithatë pritet të shqyrtohen dhe të merret vendimi se a do të pranojnë palët apo të shkohet në zgjedhje.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu