Zbulimi në Obiliq, flet Thaçi: Policia dhe Prokuroria e kanë këtë punë në dorë

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka reaguar pas zbulimit të disa gjësendeve të dyshimta në objektin e ish-shkollës teknike në këtë komunë.

Thaçi ka bërë të ditur se objekti ishte keqpërdorur nga individë të ndryshëm që nga viti 1990, kur nxënësit shqiptarë u dëbuan nga shkolla nga forcat serbe, transmeton Klankosova.tv.

Ai tha se me ardhjen në qeverisje, komuna kishte premtuar rikthimin e objektit në funksionin e tij fillestar si shkollë teknike, ndërsa procedurat për këtë kanë nisur që nga janari.

“Prej vitit 1990, kur masat e dhunshme të shtetit kriminal serb na i kanë dëbuar nxënësit nga shkolla, kjo shkollë ka qenë thuajse e përdorur e keqpërdorur prej individëve të ndryshëm”, tha Thaçi.

Sipas tij, gjatë punimeve për pastrimin e objektit, rreth dy muaj më parë është zbuluar edhe një ambulancë e fshehur, për të cilën janë njoftuar Policia dhe Prokuroria.

Ndërkaq, dje punëtorët kanë hasur në disa materiale të dyshimta, çka ka bërë që puna të ndërpritet dhe në vendngjarje të ftohet Policia e Kosovës.

“Dje kemi hasur në disa gjësende shumë të dyshimta për ne, që punëtorët e ndërmarrjes sonë nuk kanë mundur ta vazhdojnë punën pa e ftuar Policinë që të merret me këto gjëra”, deklaroi kryetari i Obiliqit.

Thaçi bëri të ditur se, sipas vlerësimeve fillestare të policëve dhe njësisë së antidrogës, dyshohet se bëhet fjalë për mjete apo pajisje që mund të jenë përdorur për tentim të kultivimit të substancave narkotike, por ende nuk është përcaktuar se për çfarë substance bëhet fjalë.

“Policia dhe prokuroria e kanë në dorë këtë punë dhe po merren me rastin”, tha ai.

Kryetari i Obiliqit ka folur edhe për raportimet rreth mundësisë së ekzistimit të një varreze masive në këtë objekt. Ai tha se, bazuar në informacionet që ka marrë nga Policia, nuk ka dyshime për një varrezë masive.

“Sa i përket varrezës masive, siç u pa dhe si ma konfirmuan policia, nuk ka ndonjë dyshim për varrezë masive”, u shpreh Thaçi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu