Zbulimi: Thesaret që fsheh toka e Gaza-s (VIDEO)

Një dysheme e zbukuruar nga periudha bizantine me mozaikë shumëngjyrësh që përshkruajnë zogj dhe kafshë të tjera u zbulua rastësisht nga një fermer palestinez teksa po mbillte në arën e tij.

Sipas Reuters, Salman al-Nabahin e zbuloi mozaikun gjashtë muaj më parë ndërsa punonte në ullishtën e tij në kampin e refugjatëve Bureij, rreth një kilometër nga kufiri me Izraelin. Duke u përpjekur të kuptonte se pse disa pemë nuk kishin zënë rrënjë siç duhet, Nabahin dhe djali i tij filluan të gërmojnë. Pastaj lopata e djalit të tij goditi diçka të fortë dhe të panjohur në pamje.

“Kam kërkuar në internet dhe zbuluam se ishte një mozaik që i përkiste epokës bizantine,” tha Nabahin.

“Për mua është një thesar, më i shtrenjtë se një thesar. Nuk është diçka private, i përket çdo palestinezi”, shtoi ai.

Ministria Palestineze e Turizmit dhe Antikiteteve deklaroi se dyshemeja përmbante disa mozaikë që përshkruanin kafshë dhe tipare të tjera të jetës shoqërore gjatë epokës bizantine.

“Zbulimi arkeologjik është ende në një fazë të hershme dhe ne presim të mësojmë më shumë për sekretet dhe vlerat e këtij qytetërimi”, tha ministria në një deklaratë. “Ekipet kombëtare të kërkimit punojnë në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë dhe shkencëtarë nga Shkolla Franceze e Arkeologjisë.”

Gaza është e pasur me antika, pasi ka qenë një vend i rëndësishëm tregtimi për kulturat që datojnë që nga egjiptianët dhe filistinët e lashtë të përshkruar në Bibël, në Perandorinë Romake dhe në kryqëzatat.

Vitet e fundit janë bërë disa zbulime. Por për shkak të mungesës së fondeve dhe profesionistëve, Gaza zakonisht fton ekipe ndërkombëtare për të ndihmuar në procesin e gërmimit dhe mirëmbajtjes. /tesheshi.com/

VIDEO:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu