Zbulohen detaje nga aksidenti i tre shqiptarëve nga Kosova në Maqedoninë e Veriut

Një udhëtim i zakonshëm familjar, i nisur me gëzimin për të pritur një të afërme në aeroport, u shndërrua brenda pak minutash në një tragjedi të rëndë që tronditi mbarë opinionin shqiptar.

Tre qytetarë nga Vushtrria – Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani – humbën jetën pasi automjeti me të cilin po udhëtonin përfundoi në ujërat e lumit Lepenc, në Maqedoninë e Veriut.

Sipas një familjari, Ejup Tërnava së bashku me bashkëshorten kishte udhëtuar drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit për të marrë motrën e tij, Fatmire Shabani, e cila sapo kishte mbërritur. Pas takimit, të tre u nisën drejt Kosovës, pa e ditur se ai do të ishte udhëtimi i tyre i fundit.

Kontakti i fundit me ta është regjistruar rreth orës 22:38, kur automjeti u filmua nga kamerat e sigurisë. Pas atij momenti, telefonat e tyre heshtën dhe familjarët humbën çdo komunikim. Ankthi u rrit nga ora në orë, ndërsa të afërmit nisën t’i kërkonin në çdo drejtim, duke kërkuar ndihmë edhe nga autoritetet dhe qytetarët.

Siç mësohet, dyshohet se shoferi ka hyrë gabimisht në një rrugë pa dalje, e cila përfundonte pranë lumit. Ai pretendon se në vendin ku ndodhi aksidenti nuk kishte asnjë sinjalistikë rrugore që do t’i paralajmëronte drejtuesit e mjeteve për rrezikun.

Pas orësh të tëra kërkimesh, ekipet e shpëtimit lokalizuan automjetin Mercedes GLC me targa gjermane, të fundosur në lumin Lepenc.

Informacionet e MPB-së

Sipas MPB së Maqedonisë, ngjarja është evidentuar mbrëmjen e 19 korrikut 2026, rreth orës 22:35, pasi policia në Shkup mori njoftim për një automjet të tipit “Mercedes”, me targa gjermane, i cili ishte përmbysur përgjatë këtij aksi rrugor.

Ekipet policore që dolën menjëherë në vendin e ngjarjes zbuluan se brenda automjetit ndodheshin tre persona pa shenja jete – një burrë dhe dy gra. Mjeku i ekipit të urgjencës, i cili mbërriti në vendngjarje, konstatoi vdekjen e tyre.

MPB-ja bëri të ditur gjithashtu se disa orë më herët, rreth orës 13:40 të së njëjtës ditë, një qytetar nga Kosova kishte paraqitur në Stacionin Policor Bit Pazar një raportim për zhdukjen e tre personave. Sipas deklarimit të tij, komunikimi i fundit me ta ishte zhvilluar më 18 korrik, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Ambasada e Kosovës angazhohet për kthimin e trupave të tre vushtriasve

Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, ka njoftuar se ambasada është angazhuar për kthimin në Kosovë të trupave të pajetë të tre personave që humbën jetën në aksidentin e rëndë pranë pikëkalimit kufitar Hani i Elezit-Bllacë.

Qehaja u ka shprehur ngushëllime familjarëve të Ejup Tërnavës, Cennet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit, të cilët humbën jetën tragjikisht në aksidentin e ndodhur mbrëmë në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Humbja e tyre ka lënë në zi familjet, miqtë dhe qytetin e Vushtrrisë, ndërsa ngjarja ka prekur zemrat e shqiptarëve kudo që ndodhen. Ndërkohë, autoritetet në Maqedoninë e Veriut po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë tragjedi të rëndë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu