Manovra sekrete ushtarake, sanksione dhe skenarë grushti shteti: Amerika po përgatitet për fundin e regjimit të Kastros. Në Pentagon, ora po ecën me ritëm të shpejtë. Sipas administratës së Donald Trump, kolapsi i regjimit kuban mund të ndodhë më së voni deri në verë. Lojëra sekrete lufte tregojnë se Uashingtoni është gati, raportoi media amerikane Axios duke cituar zyrtarë amerikanë.
Pika më e ndjeshme: Trump vetë nuk dëshiron një pushtim ushtarak. Në vend të kësaj, Uashingtoni po mbështetet aktualisht te sanksionet dhe presioni ekonomik — një strategji që një zyrtar e quajti “accelerationism”, pra përshpejtim i qëllimshëm i kolapsit të regjimit.
Kriza ekonomike
Çelësi mund të qëndrojë në një vend tjetër: në janar, SHBA arrestoi diktatorin venezuelas Nicolás Maduro dhe e transferoi në SHBA. Si pasojë, u ndërpre linja e furnizimit të Kubës, pasi Maduro e furnizonte ishullin me naftë. Që atëherë, asnjë pikë nafte venezuelase nuk ka mbërritur më në Kubë. Regjimi përballet tani me mungesë energjie elektrike dhe me një ekonomi pothuajse të paralizuar.
Manovra ushtarake për rastin ekstrem
Në maj, Komanda Jugore e SHBA-së zhvilloi një simulim lufte për t’u përgatitur për ndërhyrje të mundshme ushtarake. Gjatë ushtrimeve, gjeneralët amerikanë diskutuan si do të reagonin në rast trazirash nëse kubanët, në vapën e verës dhe pa energji elektrike, do të dilnin në rrugë. Megjithatë, një këshilltar i Trump paralajmëroi: “Presidenti nuk dëshiron trupa në terren për më shumë se 48 orë. Kjo mund të kthehet në një moçal. Mund të përfundojë keq”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konsiderohet arkitekti i strategjisë së Trump ndaj Amerikës Latine. Më 7 maj ai shpalli sanksione të reja kundër industrisë ushtarake kubane. Paralelisht, autoritetet amerikane ngritën akuza kundër Raúl Castro-s për vrasje, lidhur me rrëzimin e avionëve të shpëtimit në vitin 1996.
Një lojë e rrezikshme
Koha e sanksioneve të Rubio-s dhe aktakuzës ndaj Castro-s kujton operacionin kundër Maduro-s në Venezuelë. Por zyrtarët e Trump shohin tre dallime kryesore:
-Pasardhësi është i paqartë: në rastin e Maduros, administrata Trump kishte zgjedhur tashmë një figurë tranzitore. Në Kubë nuk ka ende plan të qartë.
-Pushteti është i decentralizuar: familja Castro e ka shpërndarë pushtetin prej dekadash.
-Embargoja amerikane është e sanksionuar me ligj: ndryshe nga Venezuela, Trump nuk mund ta heqë embargon ndaj Kubës me dekret presidencial. Kjo mund të bëhet vetëm nga Kongresi, ndërsa deputetët kubano-amerikanë në Majami mbajnë një linjë shumë të ashpër./Nga Luca-Marie Hoffmann, BILD/










