Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë: Do të vazhdojë mbështetja jonë ndaj qeverisë legjitime të Tripolit

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, duke theksuar se siguria e Turqisë dhe të gjithë fqinjëve të saj është drejtëpërdrejt e lidhur me zhvillimet në Detin Mesdhe, tha se synojnë sigurimin e stabilitetit të rajonit, me këtë rast garantimin e sigurisë së Turqisë.

Zëdhënësi Kalın në një intervistë për Anadolu Agency (AA) iu përgjigj pyetjeve në lidhje me zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë Libinë dhe Mesdheun Lindor, si dhe lëvizjet e politikës së jashtme të Turqisë dhe reflektimet e hapave të ndërmarra.

Në lidhje me pyetjen se me çfarë qëllimi Turqia gjendet në Libi, ai tha se Turqia dhe Libia dhjetorin e kaluar kanë nënshkruar Marrëveshje për Bashkëpunim Ushtarak dhe të Sigurisë, në kuadër të së cilës janë duke e mbështetur qeverinë legjitime të njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB).

“Të mos ishte intervenimi vizionar i presidentit tonë, përleshjet në Libi do të thelloheshin edhe më shumë, do të vdisnin më shumë njerëz dhe ndoshta përçarja e Libisë do të ishte e pashmangshme”, theksoi ai, duke shtuar se për shkak të qëndrimit agresiv të palës së Haftarit ndaj qeverisë Sarraj, ka lindur një e drejtë për vetëmbrojtje dhe se bashkëpunimi mes qeverive turke dhe libiane në këtë drejtim është duke vazhduar në mënyrë intensive.

Kalın shpjegon se në çdo platformë tregojnë se zgjidhja nuk është ushtarake por politike, duke theksuar se pala e Haftarit që nga Marrëveshja e Abu Dhabit e prillit të vitit 2019, një vit e gjysmë ka shkelur të gjitha marrëveshjet, armëpushimet dhe bisedimet paqësore. Ai vuri në dukje se të gjitha armëpushimet dhe thirrjet për paqe të palës së Haftarit, ka dalur në pah se kanë qenë periudhë e përgatitjes të çdo sulmi të ardhshëm.

Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen se vetëm në gjashtë muajt e kaluar, për shkak të bllokimit të fushave të naftës dhe gazit natyror të Libisë nga Haftari, vendi ka pësuar humbje kombëtare prej 5 miliardë dollarëve, ndërsa kjo që nga viti 2011 ka tejkaluar shifrën 250 miliardë dollarë.

“Siguria e Turqisë nuk mund të sigurohet vetëm me kufijtë kombëtarë”

Zëdhënësi presidencial vlerëson se në një epokë kur koncepti i sigurisë është globalizuar, siguria kombëtare nuk mund të sigurohet vetëm me kufijtë kombëtarë.

“Nëse bëhet fjalë për sigurinë e Turqisë, në të njëjtën kohë është e lidhur me sigurinë e Irakut dhe Iranit, si dhe të gjithë fqinjëve tanë, është e lidhur drejtëpërdrejt me zhvillimet në Detin Mesdhe. Libia është fqinji ynë detar në Mesdhe. Ne bëjmë pjesë brenda një gjeografie që shtrihet nga Ballkani në Azinë Qendrore, nga Lindja e Mesme deri në Afrikën Veriore, në Kaukaz. Një krizë, tensione, përleshje, luftë, qoftë edhe më e vogël, në mënyrë direkte do të ndikojë në sigurinë e Turqisë. Si do të ndikojë? Ndikon në aspektin e terrorizmit, migrimit, në fushat e tjera. Ne shumë herë i përjetuam shembujt e tilla. Zhvillimet që ndodhën në Libi janë çështje që prekin drejtëpërdrejt edhe sigurinë e Detit Mesdhe edhe sigurinë e NATO-s”, theksoi Kalın.

“Ngjashëm me atë që aktorët ndërkombëtarë bënë në Siri, ka filluar të shfaqet në Libi”

Të gjithë aktorët ndërkombëtarë, sipas Kalın, duhet të krijojnë lidhje me qeverinë legjitime të njohur nga OKB, duke theksuar se deri në kohët e fundit shumë shtete, përfshirë SHBA-në, kanë injoruar ndërtimin e marrëdhënieve me qeverinë Sarraj, ndërsa ky ekuilibër ka filluar të ndryshojë pasi Turqia ka ofruar mbështetjen edhe në terren, edhe në sferën diplomatike. Kalın tha se tani më shumë vende qeverinë Sarraj e konsiderojnë si bashkëbisedues.

“Natyrisht, ne nuk duam kurrë që Libia të shndërrohet në një arenë të luftës së forcave milice, mercenarëve të sjellur nga jashtë. Nëse zbatohet zgjidhje politike, sigurisht që zgjidhjet ushtarake duhet të lihen anësh. Por, fatkeqësisht, ngjashëm me atë që aktorët ndërkombëtarë bënë në Siri, ka filluar të shfaqet dalëngadalë në Libi. Fatkeqësisht, lufta në Siri, e cila hyri në 11-vjetorin e saj, është lufta më e përgjakshme e periudhës së fundit. Faktorët ndërkombëtarë që gjenden atje, në vend të sigurimit të integritetit territorial, unitetit politik të Sirisë, vepruan për interesat e tyre dhe kriza u thellua edhe më shumë, u ndërlikua edhe më shumë. Tani, nëse prioriteti në Libi identifikohet paqja, qetësia dhe siguria e popullit libian, shkohet në një zgjidhje politike mbi bazën e burimeve natyrore, unitetit politik dhe integritetit territorial të Libisë, mund të zgjidhen këto çështje. Por, nëse shkohet me qasjen ‘Nga këtu ta ndajmë Libinë, këtë pjesë ta marrim ne, këtë pjesë t’ua japin këtyre’, kjo do të prodhonte rezultate shumë shkatërruese në Libi”.

Duke folur për përpjekjet për të krijuar struktura të dyfishta dhe të trefishta në Irak, Siri dhe Liban për shkak të strukturës së tyre etnike dhe sektare, Kalın tha se këto plaga nuk janë shëruar ende.

“Nuk mund të lejojmë shfaqjen e trendit të ngjashëm në Libi kur përvojat këtu janë të qarta, askush nuk duhet të lejojë. Nëse çdo shoqëri multietnike, shumësektare dhe shumëgjuhëshe do të ndahet kështu, atëherë Evropa duhet të ndahet në dhjetëra, qindra shtete të vogla, SHBA duhet të ndahet në dhejtëra shtete, por kjo nuk ndodh atje; përkundrazi, në struktura shumë më të mëdha synohet avancimi i proceseve politike në një unitet, bashkësi, por kur janë në fjalë vendet islame, shohim se duke u bazuar në çarjet etnike dhe sektare, në ato vende fillohen të hapen plaga të thella”.

Ai tha se struktura fisnore në Libi është e fuqishme, duke shtuar se fiset gjenden edhe në shoqëritë tjera dhe ashtu si në të kaluarën, fiset përsëri mund të jetojnë në paqe dhe qetësi.

“Është e qartë se kush në Libi dëshiron paqe dhe stabilitet, e kush vazhdimin e përleshjeve”

Kalın theksoi se Turqia do të vazhdojë edhe në të ardhmen mbështetjen ndaj qeverisë së Tripolit, si dhe përpjekjet diplomatike për avancimin e zgjidhjes politike.

Duke komentuar sulmin ndaj bazës Watiya, ai tha:

“Dihet se këtë e ka bërë pala e Haftarit. Ka edhe lajme në lidhje me këtë se ‘buron nga një shtet, a tjetër’, nuk do të hyj këtu, por ka një të vërtetë që doli në pah në këtë sulm; është e qartë se kush atje dëshiron paqe dhe stabilitet, e kush vazhdimin e përleshjeve. Pala e Sarraj-it është ajo që është sulmuar, Aeroporti Watiya është brenda qytetit Tripoli. Pala e cila nga njëra anë bën thirrje për armëpushim, bën thirrje për ‘biseda 5+5 nën mbikqyrjen e OKB-së’, në të njëjtën kohë bombardon Tripolin në këtë mënyrë është edhe kundër të drejtës ndërkombëtare, si dhe shfaq qëllimin e vërtetë në lidhje me të gjithë këto procese. Kështu që edhe njëherë del në pah se sa qëndrim të drejtë ka pasur këtu qeveria Sarraj; nuk është e mundshme që t’i besojnë palës tjetër. Sigurisht që edhe vetë ata do të marrin masat e duhura në lidhje me këtë. Edhe ne si Turqi do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë qeverisë legjitime. Nuk bëhet fjalë as për një prapavajtje më të vogël të vendosmërisë sonë në lidhje me këtë çështje”.

Në lidhje me një pyetje për pikëpamjen e Gjermanisë ndaj çështjes së Libisë, Kalın theksoi se Gjermania luan një rol konstruktiv. Ai potencoi se Konferenca e Berlinit është një hap i mirë, duke deklaruar se kanë përfituar brenda kornizës së këtyre parimeve, por pala e Haftarit ka qenë pala që “ka prishur lojën”.

“Edhe gjermanët, mendoj se këtë janë duke e lexuar qartë dhe hapur”, tha Kalın.

Kalın gjithashtu i është përgjigjur pyetjes rreth zhvillimeve në Mesdheun Lindor, duke e cilësuar si hap historik nënshkrimin e marrëveshjes detare me Libinë, udhëzimin e të cilit e ka dhënë presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, një hap, sipas tij, me vizion të madh politik.

“Në fakt, e drejta detare ndërkombëtare këshillon që çështjet si juridiksioni detar, shelfi kontinental dhe zona ekskluzive ekonomike, të zgjidhen mes palëve nëpërmjet marrëveshjes, kjo është praktika e parë. Në rast të mosmarrëveshjeve, këto mund t’i çojnë në gjykatë, në vende të tjera. Por zgjidhja e përgjithshme është që vendet në mënyrë dypalëshe, trepalëshe, shumëpalëshe ta zgjidhin këtë mes tyre. Ne në këtë drejtim kemi bërë thirrje për zhvillimin e një punimi me Greqinë, Egjiptin, pjesërisht me Libinë dhe vendet fqinje me Mesdheun Lindor, por nuk morëm ndonjë përgjigje. Për herë të parë emri i kësaj u vendos në Libi dhe u bë kjo marrëveshje. Nuk është një marrëveshje që lidhet në mënyrë direkte me palët e treta, që shkel të drejtat e tyre”, vlerësoi Kalın.

“Është e pamundur të ndërtohet hartë energjetike në Mesdheun Lindor dhe stabilitet duke e shpërfillur Turqinë”

Duke rikujtuar që Greqia dhe Italia së fundmi kanë bërë një marrëveshje mes tyre mbi shelfin kontinental, Kalın tha se e mirëpresin këtë dhe se dy vendet u takuan për të përcaktuar juridiksionin e tyre detar.

“Ne të njëjtën e bëmë me Libinë. Ne gjithashtu kemi konfirmuar se jemi fqinj me Libinë me këtë marrëveshje. Tani kjo do të zhvillojë një marrëdhënie fitimprurëse midis Libisë dhe Turqisë, kështu që nesër kur kushtet politike të jenë pjekur, do të bëhen punime kërkimore në këtë zonë, dhe kur të gjendet diçka, do të ndahet midis Turqisë dhe Libisë si e ardhur e përbashkët. Ne dëshirojmë që i gjithë Mesdheu Lindor të jetë një liqen i tillë i paqes”, tha Kalın.

Kalın tha se dëshirojnë që burimet natyrore të Mesdheut Lindor të jenë në pronësi të barabartë të secilit sipas parimit të ndarjes së drejtë, në mënyrë që secili të përfitojë nga këto pasuri, duke shtuar se kjo nuk mund të arrihet duke e shpërfillur Turqinë.

Ai theksoi se do të jetë në interes të çdokujt që në vend të përqendrimit në projekte të panevojshme, të shtrenjta dhe që në fund do të dështojnë, të flitet me Turqinë mbi këto çështje dhe të bashkëveprohet në planet në të cilat bën pjesë Turqia.

“Qasja jonë që nga fillimi ishte kjo, por është e pamundur për ne të qëndrojmë indiferentë ndaj iniciativave që përpiqen të burgosin Turqinë në Gjirin e Antalya-s”, u shpreh Kalın.

Duke folur edhe për qasjen e BE-së në lidhje me Mesdheun Lindor, Kalın tha se presidenca e radhës e Gjermanisë në BE mund të jetë një mundësi për marrëdhëniet Turqi-BE dhe shtoi se edhe kancelarja Angela Merkel ka vullnet në këtë drejtim.

“Të gjithë ne e shohim së çështjet e paraqitura si pengesë në marrëdhëniet midis Turqisë dhe BE-së, në fakt nuk janë probleme që nuk mund të tejkalohen”, tha zëdhënësi presidencial.

Zhvillimi i këtyre marrëdhënieve me një agjendë pozitive është në interes të të dyja palëve, tha Kalın, duke shtuar se së shpejti do të shihen shumë shembuj në këtë drejtim.

Ai theksoi se Evropa ka nevojë për Turqinë për sa i përket krizës së refugjatëve sirianë.

“Ne e pamë qartazi se nuk mund të bëjnë asnjë hap pa Turqinë në lidhje me luftën kundër terrorizmit dhe sigurinë energjetike. Evropa është një treg i rëndësishëm ekonomik për ne, atje jetojnë afro 5 milionë qytetarë tanë dhe po ashtu është në dobi të secilit për të bërë bashkëpunim në fushën e energjisë për sigurinë tonë, pra të Evropës Jugore, Ballkanit dhe rajoneve të tjera, por është e pamundur që Turqia të heqë dorë nga të drejtat dhe interesat kombëtare duke e bërë këtë. Ky është një proces që duhet marrë përsipër nga të dyja palët”, deklaroi Kalın.

Ai tha se gjatë presidencës gjermane mund të bëhen një sërë hapash, por shtoi se kanë parë që vende si Franca i vazhdojnë bllokadat. Sipas tij, Turqia nuk është në kërkim direkt të asnjëlloj tensionimi me Francën. Ai shtoi se ekzistojnë divergjenca në mendime, por tha se mund të gjendet një bazament i përbashkët për të punuar për çështjet e BE-së.

“Çështja e Mesdheut Lindor nuk është vetëm çështje e një vendi apo BE-së, por është çështje e të gjitha vendeve fqinje. Zgjidhja përmes një imponimi ndaj Turqisë nga një ose disa anëtarë të BE-së për këtë çështje nuk jep rezultate. Përkundrazi, do të jetë në interesin më të mirë të të gjithë neve që të mbajmë hapur kanalet e komunikimit dypalësh, të ndërsjellë, e nganjëherë shumëpalësh, ta mbajmë të fortë terrenin e dialogut dhe të gjejmë rrugëdalje për krizat me ide dhe sugjerime kreative”, u shpreh Kalın.

“Problemet me Greqinë mund t’i zgjidhim me bisedime direkte”

Lidhur me marrëdhëniet me Greqinë, Kalın rikujtoi se javën e kaluar presidenti Erdoğan zhvilloi bisedë telefonike me kryeministrin grek Mitsotakis dhe tha se një kontakt i tillë u vendos pas një kohe të gjatë. Në bisedë u diskutuan çështjet dypalëshe, Egjeu, Mesdheu Lindor dhe shumë çështje të tjera, tha Kalın.

“Tradicionalisht, siç e dini, Greqia është një vend që ka mbështetur anëtarësimin e Turqisë në BE. Ekzistojnë disa divergjenca lidhur me marrëdhëniet bilaterale, por këto gjithmonë janë diskutuar, menaxhuar përmes negociatave, disa janë zgjidhur, ndërsa disa janë bërë të menaxhueshme në proces. Sigurisht, pritja jonë do të jetë të përpiqemi t’i zgjidhim këto marrëdhënie me Greqinë si fqinj, me qasjen më pozitive të mundshme në të gjitha fushat. Është e mundur të flasim drejtpërdrejt për çështje të tilla si Egjeu dhe t’i zgjidhim divergjencat ose mosmarrëveshjet që lindin herë pas here. Këto kanale ishin të hapura në të kaluarën dhe mund të jenë ende të hapura në të ardhmen. Të dy udhëheqësit tashmë e kanë shpalosur një vullnet të tillë në telefonatën e fundit. Tani dëshira dhe pritja jonë është të ndërmarrim hapa në këtë drejtim dhe të krijojmë një rend rajonal të drejtë që respekton me të vërtetë të drejtat dhe interesat e secilit në kontekstin e marrëdhënieve bilaterale, në kontekstin e BE-së dhe në çështjet e Mesdheut Lindor dhe Egjeut”, deklaroi zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın.

data-full-width-responsive="true">

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu