Zëdhënësi i Qeverisë para takimit Kurti-Vuçiq: Do të diskutohen edhe elementet kornizë të marrëveshjes finale

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq që pritet të mbahet më 18 gusht, ka thënë se në këtë takim parashihet të diskutohen dy pika kryesore, që janë elementet e një kornize të përgjithshme të marrëveshjes me Serbinë, me njohje reciproke në qendër dhe zhvillimet aktuale në vend.

Ai ka thënë se vendimi për targa dhe dokumenti hyrje-dalje janë në përputhje me ligjin e Kosovës, për të cilat vetë Serbia është dakorduar në të kaluarën.

Ndërsa për shtyerjen e vendimit për reciprocitet ndaj Serbisë më 31 korrik, ai ka thënë “Ne kemi bërë një shtyerje prej ditësh nga afati fillestar, për shkak se jemi pajtuar me shtetet partnere tona se ka pasur fushatë të egër dezinformimi në veri”, tha ai për RTV Dukagjini.

Në pyetjen se si do të jetë 1 shtatori dhe a do të ketë barrikada dhe zhvillime si të 31 korrikut, ai ka deklaruar se më 31 korrik, barrikadat nuk kanë qenë organike të serbëve lokalë.

“Përveç se kanë qenë të përgatitura paraprakisht, flasin për një përfshirje të grupeve”, ka thënë Kryeziu.

“Kësaj radhe, kanë qenë të pakta pamjet që keni parë qytetarë civilë që janë bashkëngjitur thirrjes”, ka shtuar ai.

Përveç se grupeve, ai ka thënë se në të njëjtën kohë është e qartë se ka përfshirje të Serbisë në zhvillime të tilla.

>“Bllokadat dhe situatat e pafavorshme bëhen nga Beogradi për qëllim të nxitjes së situatave konfliktuoze, kjo ka të bëjë me prezencën e grupeve që funksionojnë me direktiva të shtetit serb, shtet ky që ka lidhje të thella me Rusinë”, ka deklaruar tutje Kryeziu.

Ai ka theksuar se do të ishte sjellje e papërgjegjshme nga Kosova të mos konsiderohej kjo situatë e 31 korrikut dhe të shtyhej vendimi për reciprocitet.

Ndërsa për 1 shtator ai ka thënë se institucionet e sigurisë, tashmë janë duke bërë përgatitjet për zbatimin e një vendimi të tillë, vendim për të cilin janë të autorizuar.

“Ne presim që nga 1 shtatori të zbatohen të gjitha vendimet, që mund të realizohen nga policët tanë doganorë”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu