Zelensky i propozon takim sy më sy Putinit për t’i dhënë fund luftës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin për një takim sy më sy, duke propozuar një armëpushim të plotë dhe nisjen e bisedimeve për përfundimin e luftës që ka hyrë në vitin e pestë.

Në një letër të hapur drejtuar liderit rus, Zelensky deklaroi se është i gatshëm të takohet personalisht me Putinin, duke theksuar se vetëm dialogu ballë për ballë mund të sjellë një marrëveshje për çështjet kyç, raportoi të enjten “Euronews”.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju.

“Zgjedhja është tani e juaja. Mjaft më me luftën. Ukraina propozon t’i japë fund kësaj lufte. Janë liderët ata që zgjidhin çështjet kryesore”, ka thënë Zelensky teksa i kërkoi Putinit të caktojë një datë për takimin.

Kjo është një nga rastet e rralla kur presidenti ukrainas i drejtohet publikisht homologut rus që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022 dhe hera e parë që ai i dërgon një letër direkte Kremlinit. Në mesazhin e tij, Zelensky akuzoi Putinin se ka kaluar pothuajse gjysmën e 26 vjetëve në pushtet duke zhvilluar luftë kundër Ukrainës.

Ai hodhi poshtë argumentet ruse për NATO-n, gjeopolitikën apo mbrojtjen e gjuhës ruse, duke i cilësuar ato si pretekste të rreme për konflikt.

“Kjo luftë është zgjedhja juaj personale – një luftë pa shkak real. Kështu do ta kujtojë historia”, shkroi presidenti ukrainas.

Zelensky theksoi se Ukraina nuk dëshiron luftë të përhershme dhe se çdo humbje njerëzore mbetet e dhimbshme për vendin. Ai shtoi se shumica e ukrainasve dhe, sipas tij, edhe shumë qytetarë rusë do ta mbështesnin një zgjidhje paqësore.

Në letër, lideri ukrainas iu referua gjithashtu sulmeve të fundit me dronë me rreze të gjatë veprimi, duke deklaruar se Ukraina ka aftësi të godasë objektiva në thellësi të territorit rus dhe se distanca prej mbi 1.000 kilometrash “nuk është kufiri i kapaciteteve” të tyre.

Zyra presidenciale ukrainase konfirmoi se letra është dërguar në Moskë dhe njëkohësisht është shpërndarë edhe te partnerët ndërkombëtarë të Kievit, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, Kremlini reagoi duke deklaruar se Zelensky është i mirëpritur të vizitojë Moskën “në çdo kohë”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për mediat shtetërore ruse se Putinit ende nuk i ishte paraqitur letra e presidentit ukrainas.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu