Zëra kundër investimit të familjes Destani në Tetovë: Sa e ndihmon shteti i Maqedonisë këtë investim?

Një pjesë e portaleve maqedonase, por edhe opinionistë kanë reaguar duke theksuar se shteti do të ndajë 130 milionë euro për investimin e kompanisë Ecolog të Lazim Destanit në Tetovë.

“130 milionë euro para të popullit për familjen Destani”, “e.Go një kompani e dështuar e blerë nga gjermanët” janë disa titujt e portaleve maqedonase, por edhe disa opinionistëve që qarkullojnë nëpër portale të ndryshme.

Por siç është e ditur, Qeveria gjegjësisht Zonat Zhvillimore Teknologjike- Industriale (TIRZ), një kompani investitor nëse plotëson kushtet e dakorduara ajo do të marrë ndihmën shtetërore për investimin jo më shumë se 35% nga investimi i përgjithshëm, përcjell INA.

“Maqedonia e Veriut nuk do të investojë para në fabrikën e makinave elektrike në Tetovë. Nëse plotësohen kushtet e dakorduara, kompania do të marrë ndihmë shtetërore, e cila nuk do të jetë më shumë se 35 për qind e investimit të përgjithshëm”, theksoi drejtori i TIRZ-it, Jovan Despotovski.

Sipas tij, shpërndarja e fondeve shtetërore do të varet nga dinamika e realizimit të investimit dhe përmbushja e kushteve dhe afateve të dakorduara dhe të parashikuara në kontratë.

Sipas kontratës së nënshkruar dhe planit të biznesit të kompanisë, ndërtimi i fabrikës duhet të fillojë pas gjashtë deri në tetë javë, pra në fillim të vjeshtës, ndërsa automjetet e para të testimit do të jenë gati në gjysmën e parë të vitit 2024.

“Automjetet që do të prodhohen në fabrikën e makinave elektrike në Tetovë janë për tregun botëror. Sipas planit të biznesit, kapaciteti vjetor është 30 mijë automjete nga viti 2025. Pritshmëritë tona janë që së shpejti të shohim jo vetëm produksionin, por edhe të gjitha efektet pozitive të këtij investimi”, theksoi Despotovski për Kanal5.

Ai iu përgjigj edhe shqetësimeve të qytetarëve se një investim i tillë është rrezik për shtetin, duke thënë se si në çdo investim të huaj, një inspektim i detajuar i kompanive bëhet nga shtëpi të njohura audituese ndërkombëtare. Nuk ka indikacione për rrezik serioz në raportin e auditorëve për këtë investim. Despotovski theksoi se megjithatë shteti ka mekanizma seriozë mbrojtës dhe vetë kontrata përmban klauzola mbrojtëse për marrjen e ndihmës shtetërore.
Drejtori i TIRZ tha se ndihma shtetërore do të realizohet brenda pesë viteve, në përputhje me dinamikën e zbatimit dhe se është një kompani e lidhur ngushtë me Universitetin e Teknologjisë Aachen, që ka investuar seriozisht në zhvillimin e automjeti në katër vitet e fundit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu